Kukësi, trashësia e borës në zonat rurale shkon në 1 metër

31/12/2014 00:00

Qarku i Kukësit ka dhe numrin më të madh të banorëve të bllokuar nga dëbora.

Ndërprerja e reshjeve në gjithë qarkun është shoqëruar më erëra të forta që sërish mbledhin dëborën dhe bllokojnë rrugët, por edhe kanë krijuar ngrica të rrezikshme. Në këtë gjendje janë të gjitha rrugët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës.

Pastrimi i rrugëve nga dëbora ka vijuar duke hapur kalimet në qendrat e komunave Malzi, Kolsh, Bicaj, Bushtricë, Tërthore, Shtiqën, Shishtavec, Grykë Cajë , Ujmisht, Topojan, Zapod, Kalis e Surroj. Nuk është  hapur, ende, rruga për në  qendrën  e komunës Arrën, për shkak të  largësisë  dhe terrenit të  thyer malor, zonë në të cilën trashësia e borës shkon deri në 1 metër.

Vështirësinë e qarkullimit në këto akse e pranojnë edhe vetë banorët dhe drejtuesit vendor.

Situata e rrugëve të  brendshme në të tre bashkitë e Qarkut Kukës, Krumë e Bajram Curri vazhdon të jetë problematike.

Këto rrugë nuk janë hapur si duhet me mjetet borë pastruese dhe nuk është  hedhur thuajse në  pjesën kryesore të  tyre kripë.

Top Channel