Rama: Drejtësia mbi 21 janarin do të vonojë, por nuk do të harrojë

31/12/2014 00:00

Në konferencën e fundvitit me gazetarët, Kryeministri Edi Rama deklaroi
se shqiptarët në vitin 2014 patën më shumë para në xhepin e tyre, për
shkak të uljes së taksave në nivelin 97 për qind, ndërsa theksoi se për
vitin 2015 rritja ekonomike mund të shkojë në nivelin 3 për qind.

Shefi i Qeverisë falenderoi të gjithë ata që bashkëpunuan për reformat e ndërmarra, kurse për opozitën ai u shpreh:”Më vjen keq që nuk mund ta falenderoj për bashkëpunimin”.

Duke përmendur arritjet e kryera nga Qeveria gjatë vitit 2014 Kryeministri foli edhe për të ardhmen dhe për realizimin e reformave të tjera në ndihmë të zhvillimit në shumë fusha të vendit tonë.

I pyetur nga Top Channel, lidhur me cështjen e 21 janarit, Rama u shpreh se ajo ngjarje mbetet një plagë që nuk do të mbyllet kurrë dhe një rast tepër i vështirë për t’u zgjidhur.

“Ne, si Qeveri bëjmë c’është e mundur për të lehtësuar rrugëtimin në jetë të fëmijëve të familjeve të viktimave. Sa i përket drejtësisë, unë vazhdoj të jem i bindur që drejtësia mbi 21 janarin do të vonojë, por nuk do të harrojë. Reforma në drejtësi do të ndihmojë edhe në këtë drejtim”, tha Rama.

Top Channel