Festë e dhurata edhe për fëmijët në spital

31/12/2014 00:00

Nata e ndërrimit të viteve shumë vogëlushë nuk i gjen në shtëpitë e tyre, por në dhomat e spitaleve. Në pediatrinë e spitalit të Durrësit, 30 pacientë të vegjël do ta presin Vitin e Ri në dhomat e tyre, pasi duhet të jenë nën kurimin intensiv të mjekëve.

Por edhe këtu nuk kanë munguar dhuratat, si dhe atmosfera festive. Temperaturat e ulëta kanë bërë që të rritet edhe numri i fëmijëve që paraqiten çdo ditë në urgjencën e pediatrisë.

“Duhet të shohim shenjat, vështirësia në frymëmarrje, lodhja dhe këputja janë të gjithë tregues që komplikohet gjendja. Këtë ditë, kur të gjithë festojnë, mjekët pediatër janë në krye të detyrës”, tregon pediatri Dhimitër Gjergo.

Dhurata në këtë ditë të fundit të ndërrimit të viteve ka patur edhe për foshnjat e braktisura të cilat qëndrojnë nën kujdesin e infermierëve dhe mjekëve në pavionin “Djepi i Engjëjve”, pranë maternitetit Mbretëresha Geraldinë.

“Të krijojmë mundësi dhe hapësira për ato nëna të reja, që sjellin në jetë këto krijesa por që për një sërë arsyesh i braktisin, që të gjejnë forcën për t’i mbajtur ato. Sepse vërtet do të përballen më vështirësitë, por kjo do të shpërblehet në të ardhmen në mënyrën më të mirë për jetën e tyre”, shprehet Ilir Çumani, drejtor i Institutit për Integrimin e Fëmijëve Jetimë.

Një grup artistësh, por edhe personalitete të tjera kanë sjellë dhurata të ndryshme për këta fëmijë, të cilët apeluan dhe u bënë thirrje prindërve që të mos i braktisin.

Top Channel