Pamundësia për të zhbllokuar procesin e integrimit dhe përkeqësimi i raporteve ndëretnike nuk kanë qenë problemet e vetme në Maqedoni gjatë vitit që po lëmë pas.

Krahas këtyre problemeve të mëdha me të cilat vendi ballafaqohet prej një kohe të gjatë, këtë vit janë shfaqur edhe probleme të tjera serioze siç janë protestat e shumta kundër pushtetit, por edhe kriza politike që po shoqërohet me bojkotin e Parlamentit nga deputetët e opozitës maqedonase.

Përveç kësaj, zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale që u zhvilluan në pranverë nuk sollën asnjë ndryshim. Drejtuesit e lëvizjes politike Besa kanë rikthyer në vëmendjen e qytetarëve problemet më të mëdha me të cilat u ballafaquan shqiptarët gjatë vitit.

“Sivjet përfundoi procesi “Monstra”, në të cilin 6 shqiptarë të rinj u gjykuan pa të drejtë me gjykim të përjetshëm, pastaj na ndodhi rasti i dhunës ndaj shqiptarëve në Radishani, ai i djegies së pronave të shqiptarëve në Gjorçe Petrov, nuk u rregullua çështja e gjuhës shqipe, nuk u miratua ligj për UÇK-në, u thellua edhe më shumë varfërimi i shqiptarëve, shpërngulja jonë jashtë vendit dita-ditës po rritet, kultura shqipe u anashkalua gati totalisht dhe arsimi i shqiptarëve u degradua skajshmërisht”, ka deklaruar Bilal Kasami, lëvizja Besa.

Përveç problemeve të shumta politike, një tjetër shqetësim për qytetarët përbën vlerësimi i Bankës Popullore të Maqedonisë, e cila pret që viti 2015 të jetë vit i rëndë për ekonominë e vendit.

Shenjat për krizën janë shfaqur edhe në fund të këtij viti. Këto probleme si duket kanë ndikuar edhe në zbehjen e atmosferës së festave të fundvitit në krahasim me vitet e kaluara.

“Vitit 2014 ishte një vit shumë i rëndë në aspektin ekonomik dhe meqenëse ky aspekt është boshti i një shoqërie, pres që gjithë qytetarët e Maqedonisë, veçanërisht shqiptarët, të jenë më fortë dhe të prosperojnë edhe në aspekte të tjera”, thotë qytetari Xhenis Sulejmani.

Gjatë vitit që po lëmë pas u evidentuan edhe dy probleme të tjera serioze që po rrënojnë imazhin e vendit, siç janë mungesa e lirisë së shprehjes dhe korrupsioni.

Top Channel