Urimi i Nishanit: Në 2015, më shumë bashkëpunim politik

31/12/2014 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka uruar shqiptarët, kudo që ata ndodhen, për Vitin e Ri 2015, duke u shprehur se ky vit do ta gjejë Shqipërinë me sfida të reja.

Në fjalimin e tij, kreu i shtetit iu drejtua edhe politikës, duke i kërkuar një sjellje sipas standardeve evropiane, duke qenë se është Evropa ajo tek e cila duam të aderojmë.

“Po troket Viti i Ri dhe në cilësinë e Presidentit të Republikës, për të tretën herë kam privilegjin e nderin t’ju përcjell urimet e mia më të ndjera, më të sinqerta për një Vit të Ri sa më afër aspiratave tuaja! Gëzuar të gjithëve!

Viti 2014 ishte një vit domethënës për vendin tonë, por ajo që spikat më shumë është marrja e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Vëmendjes së Evropës ndaj Shqipërisë, e cila kurrë nuk ka qenë kaq e madhe përgjatë historisë, i përgjigjet dëshira e shqiptarëve për t’u integruar aty, por e tillë dhe me standardet demokratike duhet të jetë edhe sjellja e politikës shqiptare.

Uroj që gjatë këtij viti të rikthehet dialogu i munguar duke rikthyer filozofinë e bashkëpunimit dhe jo të përjashtimit, duke bërë që Parlamenti të shndërrohet në zërin e të gjithëve e jo vetëm të një pjese, nga i cili të miratohen reforma themelore, të vërteta, moderne e afatgjata, produkt i vullnetit të përbashkët.

Gëzuar dhe një vit të suksesshëm për politikanët dhe politikën shqiptare, vendimmarrja e të cilëve na përket e prek të gjithë. Së bashku me familjen time ju urojmë Gëzuar! Zoti e bekoftë Shqipërinë e shqiptarët!”, uroi Nishani.

Top Channel