Indonezi, stuhitë dhe dallgët pengojnë operacionet e kërkimit

31/12/2014 00:00

Moti i keq dhe deti i trazuar po pengojnë përpjekjet për lokalizimin dhe rekuperimin e trupave dhe mbetjeve të avionit të “AirAsia”, i rrëzuar të djelën në detin e Javës në Indonezi.

Autoritetet vendase konfirmuarn një ditë më parë se trupat dhe objektet që pluskonin në ujë në atë zonë i përkisnin fluturimit “QZ8501”, çka i dha fund si misterit të zhdukjes së tij, ashtu edhe shpresave të familjarëve se avioni mjaft thjesht kishte ndërruar kurs e ndodhej diku tjetër.

Edhe pse u fol për pikasjen e dhjetëra kufomave, në morg aktualisht ndodhen vetëm 7 trupa të pajetë. Presidenti Joko Widodo premtoi një operacion masiv kërkimi nga deti e ajri.

Avionë nga disa vende të ndryshme duhet të nisnin kontrollin e zonës mëngjesin e sotëm për kërkimin e trupave si dhe kutive të zeza të avionit.

Por reshjet e dendura të shiut, erërat e fuqishme dhe dallgët që mbërrinin deri në 3 metra i detyruan të ndërprisnin veprimet nga ajri, ndërsa anijet janë ende aty e po e vazhdojnë kërkimin.

Një shërbesë pulbike mbahet mbrëmjen e sotme në lokalitetin Surabaja në nder të viktimave, ndërsa guvernatori i provincës së Javës Lindore i tha BBC-së se kremtimet e vitit të ri janë anuluar.

“Tani po përqendrohemi tek lutjet për ata që humbën jetën. Kjo është një tragjedi e madhe për Indonezinë dhe ne do të bëjmë sa të mundemi për viktimat dhe të afermit e tyre”, u shpreh Soekartwo, i cili ashtu si shumë indonezianë të tjerë përdor vetëm një emër.

Kjo është dita e katërt që kur airbusi “A320-200” u zhduk nga radarët ndaj dhe po shtohen shqetësimet se identifikimi i trupave do të jetë i vështirë.

Shumë thonë se qeveria dhe “AirAsia” e menaxhuan mirë situatën pas tragjedisë, por familjarët tani kërkojnë saktësi në identifikimin e njerëzve të tyre të dashur në mënyrë që të mund të varrosen denjësisht.

Në bordin e avionit të nisur të djelën nga Surabaja drejt Singaporit kishte 137 pasagjerë të rritur, 17 fëmijë dhe një foshnje, dy pilotët dhe 5 anëtarë të ekuipazhit.

Top Channel