Elbasan, banorët të bllokuar nga bora dhe akulli

31/12/2014 00:00

Mijëra banorë në qarkun e Elbasanit do ta presin ndërrimin e viteve të bllokuar nga dëbora dhe pa energji elektrike. Një situatë e tillë paraqitet sidomos në komunat e Librazhdit, të cilat prej 4 ditësh ndodhen të izoluara.

Në komunën Lunik, banorët shprehen se një dimër i tillë nuk ishte parë prej shumë vitesh, ndërkohë që mungesa e energjisë elektrike e ka përkeqësuar situatën e tyre.

“Protestojmë se nuk ka as drita, asgjë. Janë këputur të gjitha linjat, me tension të lartë e të ulët”, thotë një banore.

Për të parë gjendjen e zonave të bllokuara ka shkuar edhe deputeti i PS, Taulant Balla, i cili u shpreh se gjendja paraqitet e rëndë dhe megjithëse janë të plota kapacitetet për riparimin e problenmeve të energjisë, ndërhyrja është e pamundur për shkak të dëborës dhe akullit.

“Situata e furnizimit me energji është shumë e vështirë për shkak se rrjeti i transmetimit është dëmtuar rëndë. Krerët e komunave po marrin masat për rilidhjen e linjës, por situata është e vështirë dhe do të duhej një ndërhyrje e OSHEE-së dhe Drejtorisë rajonale të Elbasanit”, deklaroi Balla.

Ndërsa drejtori i OSHEE për qarkun e Elbasanit ka qenë në komunën Rrjacë të Prrenjasit së bashku me një grup pune për të punuar për rikthimin e energjisë. Ai u shpreh se në shumë fshatra ku u dëmtuan linjat e tensionit të mesëm, energjia është rikthyer, por ende ka zona në të cilat sipas tij është e pamundur të ndërhyhet.

“Kemi defekte, por jemi të angazhuar totalisht për riparimin. Kemi një mbështetje nga qeveria me të gjitha forcat. Shpresojmë që të gjithë të marrin energji, sepse po punojmë të gjithë, me grupe në terren dhe me përforcime në zonat problematike”, deklaroi Bukurosh Maçi, drejtor i OSHEE.

Në rrethin e Librazhdit janë të bllokuara dhe pa energji elektrike komunat Orenjë, Steblevë, Hotolisht, Polis, Lunik, Stravaj e Qukës. Ndërkohë, të bllokuar nga bora janë edhe dhjetëra fshatra në rrethin e Gramshit dhe Elbasanit. Akset nacionale në zonat malore janë të kalueshme vetëm me zinxhirë për shkak të borës dhe akullit.

Top Channel