Viti 2015 pritet me fishekzjarre në të gjithë globin

01/01/2015 00:00

Nga rrugët e Nju Jorkut deri në plazhet e Rio de Zhaneiros e tempujt e Japonisë, në të gjithë botën u festua mbërritja e Vitit të Ri 2015.

Fishekzjarret në kullën Eiffel, si çdo vit ishin mënyra tipike e kremtimit të Vitit të Ri në Paris. Kryeqyteti francez u pushtua nga një spektakël gjigand dritash që ndriçoi qytetin për minuta të tëra, ndërkohë që njerëzit festonin.

Berlini gjithashtu ofroi një spektakël fishekzjarresh dhe dritash që ngjyrosën qiellin e kryeqytetit gjerman.

Një orë më vonë, ora e Big Ben në Londër sinjalizoi mbërritjen e Vitit të Ri edhe atje, duke i lënë vendin shfaqjes së fishekzjarreve. Mijëra njerëz ishin vendosur në të dyja anët e lumit Tamiz.

E ndërsa Brazili e mirëpriti vitin 2015 me festat tradicionale në plazhin e Kopakabanës, në Rio de Zhaneiro, artistë dhe DJ performuan për më shumë se 1 milionë njerëz, të cilët pritën agimin e parë të vitit.

Edhe Nju Jorku e mirëpriti Vitin e Ri pasi sfera e kristaltë u ul poshtë. Kur ora shënoi 00:00, shumë çifte të dashuruarish i dhuruan njëri-tjetrit puthjen që duket se është kthyer në traditën amerikane. Por, krahas atmosferës festive nuk munguan as protestat. Mijëra njerëz ishin mbledhur me kauzën “jeta e njerëzve me ngjyrë ka rëndësi”. E gjithë kjo, lidhur me vrasjet e mëhershme të afro-amerikanëve në SHBA.

Japonia e mirëpriti vitin 2015 në mënyrën e saj tradicionale. Pas spektaklit të fishekzjarreve, nuk munguan as lutjet në tempuj, me dëshirën kryesore për fat të mirë.

Në Kinë, 35 persona humbën jetën dhe 40 të tjerë u plagosën gjatë festimeve pasi u shtypën nga turmat e mëdha të njerëzve përgjatë lumit të Shangait.

Moska festoi në sinkron me shumë vende të tjera perëndimore, ndonëse shumë gjëra nuk kanë shkuar siç duhet mes Rusisë dhe Perëndimit gjatë vitit të kaluar. Mijëra njerëz pritën vitin 2015 në Sheshin e Kuq mes brohoritjesh e fishekzjarresh.

Dubai dhuroi një spektakël dritash e fishekzjarresh në tentativë për të shënuar një rekord në ndërtesën më të lartë në botë.

Në Lindjen e Mesme Viti i Ri u prit mes lutjesh për t’i dhënë fund terrorizmit që po mundon mijëra njerëz atje.

Top Channel