Greqia në prag zgjedhjesh. Pas festës, përgatitjet për fushatën elektorale

01/01/2015 00:00

Duke sfiduar motin e ftohtë dhe temperaturat e ulta, qindra grekë, nën tingujt e Orkestrës Filamornike të Athinës, kanë pritur Vitin e Ri 2015 duke parë pamjet mbresëlënëse të fishekzjarreve të hedhura mbi shkëmbin e shenjtë të Akropolit.

“Përveç një atmosfere festive, ndodhemi edhe në fushatë zgjedhore, i kemi të dyja bashkë kësaj here. Janari do të jetë shumë i vështirë për Greqinë dhe unë vetëm shpresoj se këto zgjedhje të parakohshme do të na dalin për mirë”, thotë një qytetare greke.

Për pak çaste, shqetësimi se çfarë të papriturash do të sjellë ky vit është venitur dhe ka rilindur shpresa, entuziazmi dhe dashuria: “Unë besoj se ky vit do të jetë më i mirë se i fundit, i mbushur me shpresë dhe dashuri.”

Për grekët, të cilët kanë 6 vite që vuajnë nga kriza më e egër ekonomike në historinë e tyre dhe përjetojnë një destabilitet të skenës politike në tre vitet e fundit, 2015 u solli si dhuratë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në 25 janar.

Ata duhet të zgjedhin midis konservatorëve të kryeministrit Samaras, që duke qeverisur kanë imponuar masa antipopullore shtrënguese nën presionin e huadhënësve, dhe radikalëve të majtë të Syrizës, të cilët premtojnë anullimin e këtyre reformave dhe një reduktim të borxhit kolosal të vendit.

Sondazhet e opinionit që i japin një avantazh opozitës edhe pse marzhi është ngushtuar në rreth 3%, kanë krijuar një shqetësim në tregjet financiare edhe pse kësaj here më i kufizuar.

Për shumicën e grekëve, pasiguria për këtë vit të ri qëndron në faktin se si do të përballojë vendi sfidat e reja financiare, pasi në këto katër vite jetonte me ndihmën ekonomike prej 240 miliardë eurosh nga BE-ja dhe FMN-ja.

Kësti i fundit i saj prej 7.2 miliardë euro nuk u miratua për shkak të negociatave të ngrira dhe huadhënësit e Athinës kanë deklaruar se lëvrimi i kësaj shume do të bëhet pas fillimit të bisedimeve me qeverinë e re që do të dalë pas zgjedhjeve në fund të këtij muaji.

Top Channel