Festa e Vitit të Ri në Kosovë, lëndime nga fishekzjarrët

01/01/2015 00:00

Kanë mbetur të zbrazëta tendat e kafeterive prishtinase të cilat në natën e ndërrimit të vitit ishin pjesë e atmosferës festive në ambient të hapur në kryeqytetin kosovar. 1 janari i gjen ato duke u bërë gati për t’u larguar nga hapësirat publike, ndërsa qytetarët, edhe përkundër temperaturave të ulëta, vazhdojnë të shijojnë atmosferën e këtij viti.

Në fakt Kosova ishte përfshirë nga një mot i ftohtë ditët e fundit, ndërsa vetëm në natën e ndërrimit të viteve temperaturat shkuan deri në -13 gradë celcius. Por, pavarësisht motit të ftohtë, sheshi kryesor i Prishtinës mblodhi shumë qytetarë, kryesisht të rinj të cilët festuan së bashku deri pas mesnate duke përqafuar idenë e komunës që pjesë e aktiviteteve, përveç koncertit të përvitshëm, të bëhen edhe kafeteritë.

Edhe këtë herë duket se kanë qenë të kota thirrjet e autoriteteve për kujdes në përdorimin e mjeteve piroteknike dhe armëve të zjarrit. Sipas policisë, një vajzë e re nga Prishtina është plagosur në kraharor nga një plumb qorr, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Deri në orën 1 pas mesnate janë regjistruar nëntë raste të tjera me lëndime trupore nga mjetet piroteknike.

Autoritetet qendrore kanë uruar qytetarët për Vitin e Ri. Presidentja Atifete Jahjaga thotë se është koha kur të gjihtë së bashku duhet ta kthejmë besimin në vetvete dhe në shtetin që po ndërtojmë, siç kanë bërë gjenerata të tëra që kanë mbajtur gjallë shpirtin për një Kosovë ndryshe, një tokë të premtuar për qytetarët e saj, në të cilën do të gjejnë prehjen edhe familjet që për mbi 15 vjet vazhdojnë të kërkojnë më të dashurit e tyre, të zhdukur gjatë kohës së luftës.

Ndërsa kryeministri Isa Mustafa përvec urimit të zakonshëm, uroi edhe ditën e parë të vitit 2015. “Urime dita e parë e vitin 2015. Karvani ecën, ndryshimet do të ndodhin”, shkruan Mustafa në Facebook.

“Qeveria që ju e keni merituar do të punojë për juve. Do të na lumturojë bashkarisht një vend pune më shumë, fytyra e qeshur e fëmijës e rehatia e pensionistit”, përfundon deklarata e kryeministrit kosovar.

Top Channel