Festimet e ndërrimit të viteve tradicionalisht shoqërohen me tryezën plot. Kuzhina jonë mesdhetare ku mbizotëron mishi, yndyra, vera dhe ëmbëlsirat me shërbet, në gjuhën e një dietologeje do të përktheheshin kalori dhe disa kilogramë më shumë.

Një natë më parë të gjithë kemi abuzuar me ushqime kalorike, pije alkoolike dhe ëmbëlsira, por si duhet të veprojmë tani me ushqimin?

“Zakonisht, kaloritë nuk numërohen në festa. Ne kemi zakonin të mbushim frigoriferët plot, edhe pse Vitin e Ri e kalojmë në restorant dhe frigoriferi zbrazet në ditët e para të janarit”, thotë Albana Daka.

Nuk mund të themi se është vetëm një darkë e vetme pasi festa vijon edhe për disa ditë të tjera. Dietologët sugjerojnë praninë e perimeve në drekat apo darkat që do të vijojnë, por edhe të ulet sasia e ushqimit që konsumohet, sidomos të ulet konsumi i bakllavasë.

“Duhet që kaloritë t’i ulim në ditët në vijim. Të hamë dreka e darka më të lehta, të konsumojmë më pak alkool dhe të hamë shpesh, por nga pak. Perimet janë shumë të mira për një regjim ushqimor më të lehtë”, shton Daka.

Kujdes i veçantë duhet treguar me fëmijët në këto ditë pushimi, duke u hequr nga tryeza ushqimet e paketuara apo pijet e gazuara: “Të mundohemi t’i japim ushqime të shëndetshme dhe të mos i japim pije me gaz apo patatina pasi ato kanë konservantë dhe i bëjnë më shumë dëm fëmijëve sesa të rriturve.”

Më tepër se për t’u dukur në formë, dietologia thekson regjim ushqimor me bazë perimesh për t’u kujdesur për shëndetin.

Top Channel