Rrugët me ngrica, ARRSH: Ja akset, ku kërkohet të lëvizet me kujdes

01/01/2015 00:00

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton sot se të gjitha akset nacionale janë të kalueshme, ndërsa në disa segmente kërkohet pajisja e mjeteve me zinxhirë për shkak të akullit.

Kështu, gjatë paradites së sotme, në Qarkun e Tiranës problematike janë vetëm rrugët Trau Dajt, Qafë Mollë, Antenat, Priskë dhe Shëngjergj. Aty duhet lëvizur vetëm me zinxhirë.

Në Korçë, temperaturat e ulta bëjnë që të gjitha akset të kenë prani akulli, ndërsa në rrugën Pogradec-Qafë Thanë ka prani akulli dhe po hidhet kripë. Në zonën Zemblak-Dogana e Goricës dhe Zemblak-Pustec rekomandohen zinxhirët, si dhe në rrugën drejt Dardhës, por edhe në disa pjesë të rrugës në Qafën e Qarrit për në Ersekë.

Në Qarkun e Elbasanit të gjitha rrugët janë të hapura. Probleme me akullin ka në rrugën Elbasan-Gjinar.

Në Vlorë sërish dëbora krijon probleme në Qafën e Llogorasë, veçanërisht në pjesën e Dukatit. Në Qarkun e Dibrës të gjitha rrugët kanë akull, është hedhur kripë, por rekomandohet kujdes në akset Ura e Cërnecit-Stërblevë, Qafë Buall-Krastë, Sllovë-Kalaja e Dodës dhe Muhurr-Qafë Draj.

Në Qarkun e Shkodrës ka probleme, por jo bllokime në rrugën drejt Pukës dhe Malësisë së Madhe, ndërsa në Qafën e Malit ka bllokime të shpeshta për shkak të bores që era risjell në rrugë.

Në Qarkun e Fierit, i vetmi problem raportohet trafiku i rënduar në aksin Fier-Lushnje. Nga Lezha raportohet se rrugët janë të hapura, përveç një segmenti në “Rrugën e Kombit”, që duhet të kalohet me zinxhirë.

Në Qarkun u Kukësit, rrugët nacionale janë të hapura, ndërsa në aksin Kukës-Tropojë kërkohet lëvizje me shpejtësi të ulët dhe përdorim të zinxhirëve.

Top Channel