Një spektakël fishekzjarrësh ka shënuar ndërrimin e viteve në kryeqytetin e Maqedonisë. Për shkak të temperaturave shumë të ulta, që kishin shkuar deri në minus 10 gradë, ishin të paktë ata që festuan jashtë Vitin e Ri.

Koncerti i organizuar në Shkup për këtë festë u ndoq nga një numër i vogël i qytetarëve, kurse në disa qytete të tjera, për shkak të temperaturave të ulta, koncertet janë anuluar.

Qytetarët e intervistuar nuk kanë qenë të kënaqur nga viti që lamë pas dhe shpresojnë që 2015 të jetë ndryshe.

“Viti 2014 për ne shqiptarët në Maqedoni nuk ka qenë edhe aq i suksesshëm. Shpresoj dhe besoj që viti 2015 të jetë më i suksesshëm për ne dhe u uroj të gjithë shqiptarëve mbarësi, fat dhe shëndet, kudo që janë. Urime 2015!”, është shprehur Fatime Mehmeti, qytetare.

“2014 kaloi. Kishte edhe gjëra të mira, edhe të këqija, por besoj që gjatë 2015-s do të ndodhë ndonjë mrekulli sidomos për ne shqiptarët”, tha Besfort Idrizi, qytetar.

“Shpresoj që në vitin 2015 të hyjmë me optimizëm. Uroj shëndet, fat dhe mbarësi për të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, tha Gjorgji Stojanovski, qytetar.

Të rinjtë, natën e parë të vitit 2015 e kanë festuar nëpër lokale. Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulovska, tha se nata e ndërrimit të viteve ka kaluar në atmosferë të qetë.

“Nata e Vitit të Ri kaloi në atmosferë shumë të qetë. Në bazë të të dhënave që posedojmë, gjatë natës së kaluar ka pasur numër më të vogël të ankesave, krahasuar me ditët e tjera. Në 24 orët e kaluara janë denoncuar 6 raste të prishjes së rendit, prej këtyre vetëm dy kanë të bëjnë me natën e Vitit të Ri”, u shpreh ministrja Gordana Jankulovska.

Ndërkohë, Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov, vizitën e parë të 2015-s e ka bërë në kazermën ushtarake “Ilinden” në Shkup. Pasi përcolli urimet e tij me rastin e Vitit të Ri, ai ka shprehur edhe dëshirën e pjesëtarëve të Forcave të Armatosura për vitin 2015.

“Shfrytëzoj rastin të them se dëshira e gjithë ushtarëve dhe eprorëve, është që gjatë këtij viti Maqedonia të meritojë vendin ku i takon, të bëhet pjesë e NATO-s”, tha Presidenti Gjorgje Ivanov.

Ndryshe nga drejtuesit maqedonas të shtetit, që kanë shprehur optimizëm për 2015-n, politikanët shqiptarë në Maqedoni janë më skeptikë dhe parashikojnë një vit jo të lehtë për vendin.

Top Channel