Surprizat e kinematografisë në 2015

01/01/2015 00:00

Kur bëhet fjalë për kinematografi, viti 2015 do t’i ofrojë publikut shumë filma, të cilët janë realizuar në shumë muaj xhirime. “The Guardian” ka publikuar një listë të filmave, që nuk duhen humbur për këtë vit.

Ndër ta është “Taken 3”, ku regjisori Olivier Megaton ka prodhuar serinë e tretë të fenomenit “I rrëmbyeri”. Në qendër të tij do të jenë sërish skenat aksion, të ndërthurura me dramë dhe mister, e padiskutim rolin kryesor e mban Liam Neeson. Seria e dyte e filmit “Taken” kishte si protagonist disa personazhe në rolin e shqiptarëve. Filmi “Taken 3” pritet të dalë më 8 janar.

Padyshim që libri “50 shades of Gray” theu rekorde shitjesh, çka i ka bërë të gjithë kuriozë për të parë realizimin e tij filmik, shkruan “The Guardian”. Fenomeni “50 shades of Gray” ka në qendër të tij një marrëdhënie që lind mistershëm, ndërmjet një vajze të thjeshtë me shefin e saj, zotin Gray. Filmi do të dalë në kinematë botërore në datën 13 shkurt.

E ndërsa një tjetër realizim kinematografik, i shumëprituri “Fast and Furious 7”, është në hapat e fundit të realizimit. Filmi, që në qendër të tij ka shpejtësinë, makinat e shtrenjta dhe sigurisht një flirt dashurie të hollë, do të dalë në datën 3 prill të këtij viti. Krahas kastit me Van Diesel, Paul Walker, tashmë i ndarë nga jeta prej një aksidenti automobilistik, do të jetë edhe aktorja ikonë italiane, Monica Belluci.

Top Channel