I ftohti “siberian” në Pogradec, akulli “pushton” dhe liqenin

01/01/2015 00:00

Ditët e fundit ishin edhe më të ftohtat e gjithë këtij dimri, për shkak të temperaturave shumë të ulta. Akulli dhe ngricat kanë krijuar probleme në shumë zona, veçanërisht në rrugët nacionale për qarkullimin e automjeteve.

Por në qytetin e Pogradecit, një nga zonat e goditura më rëndë nga i ftohti, dimri pothuajse siberian ka krijuar edhe pamje vërtetë të veçanta.

Për shkak të motit të keq, me erë të fortë dhe temperatura të ulta deri në minus 8 gradë celcius, janë krijuar disa skulptura akulli. Uji i ngritur pas përplasjes së dallgëve të liqenit ka krijuar stalaktite akulli në pasarelat e ndërtuara në bregun e liqenit.

Ky fenomen nuk kishte ndodhur prej të paktën 30 vjetësh në këtë qytet. Ndërkohë që jo vetëm në liqen, por në të gjithë qytetin akulli ka marrë pushtetin.

Zonat e mbuluara nga akulli në bregun e liqenit janë kthyer edhe në një destinacion turistik, për ata që preferojnë dimrin e ftohtë të juglindjes së vendit.

Përtej bukurisë që ofron bregu i këtij liqeni, në rrugët nacionale, prej zonës së Qafë Thanës dhe rrugës drejt Korçës, akulli është kthyer në problem për lëvizjen e mjeteve. Me gjithë kripën e hedhur sërish gjatë natës, rrugët bëhen pothuajse të pakalueshme, veçanërisht nga mjetet e rënda.

Kjo ndodh rëndom në Qafë Thanë, ku kamionët e rëndë që udhëtojnë nga Shqipëria për në Maqedoni apo Greqi bllokohen për orë të tëra, për shkak se e kanë të pamundur të ngjisin rrugën e pjerrët dhe me akull gjatë orëve të natës.

Top Channel