Observatori sirian: 76 mijë viktima në 2014-n, viti me më shumë gjakderdhje

01/01/2015 00:00

Viti 2014 ka qenë më vdekjeprurësi përgjatë konfliktit 4-vjeçar të Sirisë, ku janë shënuar mbi 76 mijë viktima sipas aktivistëve.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Londër, ka bërë të ditur se 17 mijë e 790 viktima kanë qenë civilë, përfshi edhe 3501 fëmijë.

Ndërkohë, më shumë se sa 15 mijë kanë humbur jetën në konfliktet e Irakut përgjatë 2014-s, duke e bërë vitin që sapo lamë pas më të keqin prej vitit 2007.

Shumë prej situatave të dhunshme vijnë si rezultat i avancimit të Shtetit Islamik apo militantëve të grupeve të tjera në të dy vendet.

Sulmet ajrore të udhëhequra prej Shteteve të Bashkuara kundër militantëve të Shtetit Islamik, luftimet mes trupave qeveritare dhe rebelëve në Siri, si dhe dhuna sektare në Irak kanë shkaktuar shumicën e viktimave.

Sulmet ajrore vazhduan edhe të enjten, me 17 objektiva të Shtetit Islamik të goditura në qytetet siriane të Raqqas, Kobanes dhe Deir Al-Zour, si dhe 12 objektiva të tjera pranë qyteteve irakiane të Fallujah, Mosulit dhe Sinjarit.

Ndërkaq, Presidenti sirian Bashar al-Assad e shënoi ardhjen e Vitit të Ri me një vizitë ndaj trupave të vijës së parë në periferinë e Damaskut, Jobar. Ai publikoi në Tëitter dhe Facebook foto të tijat duke folur me dy ushtarë nga një tank, si dhe duke shtrënguar duart me një të tretë.

Shifra prej 76 mijë e 21 viktimave të vitit 2014 i shtohet kështu numrit të përgjithshëm të vitit 2013 prej 73 mijë e 447 të vdekurisht, duke e çuar numrin total që prej fillimit të konflikteve në vitin 2011 në mbi 200 mijë viktima.

Top Channel