OSHEE kërkon ndjesë: Shumë familje festuan në errësirë

01/01/2015 00:00

Shumë familje e kaluan Vitin e Ri në errësirë për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Kjo, për shkak të defekteve që kanë ndodhur në rrjet.

Operatori i Shpërndarjes, nëpërmjet një deklarate, u ka kërkuar ndjesë të gjithë konsumatorëve, duke u angazhuar se do të kryejë investime, që defekte të tilla të mos përsëriten. Ndërkohë, që prej ditës së djeshme, sipas OSHEE, janë 3 mije persona që po punojnë për eleminimin e defekteve në rrjet.

Ndërkohë që natën e Vitit të Ri, si pasojë e mbingarkesës nga rritja e menjëhershme e konsumit të energjisë elektrike, ka pasur zona ku është stakuar energjia për disa orë, me synim shmangien e pasojave më të rënda në rrjetin e Shpërndarjes. Pas kalimit të orarit të pikut dhe shmangies së rrezikut, energjia është rikthyer në të gjitha zonat, ku ka pasur ndërprerje për shkak të ngarkesës.

Ndërkaq, rrjeti tejet i amortizuar ka krijuar probleme në disa zona të thella. Sipas OSHEE, grupet po punojnë në temperatura që shkojnë deri në minus 15 gradë, në bashkëpunim me grupet e OST dhe të emergjencave civile. Moti i keq ka dëmtuar rëndë 60 shtylla të tensionit të mesëm dhe rreth 240 kilometra rrjet.

Kukës, pa energji: Geghysen, Degë, Lekbibaj, Grykë Qaje, Kalisë, Topojan, Shishtavec.

Elbasan, pa energji: Labinot, Stravaj, Rrajcë, Qukës, Lunik, Hotolisht, Kodovjat, Cerrujën, Pishaj, Poroçan.

Korçë, pa energji: Cangonj, një lagje në Pogradec, Panarit, Lozhan, Lekas, Moglicë.

Top Channel