Qafë-Thanë, rruga e mbuluar nga akulli. Haxhinasto: Përdorni zinxhirë

02/01/2015 00:00

Nisur nga gjendja në të cilën paraqitet aksi nacional Prrenjas-Qafë Thanë-Pogradec, i cili në të shumtën e kohës qëndron i bllokuar nga ngricat e mëdha, Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto i shoqëruar nga një grup pune i ministrisë ka kryer një inspektim në këtë rrugë mbrëmjen e 1 janarit.

Ministri pa nga afër situatën ku rruga paraqet vështirësi të mëdha lëvizjeje dhe disa mjete të tonazhit të rëndë qëndrojnë të bllokuar anës saj në pamundësi për të vazhuar më tej.

Haxhinasto e vuri theksin në nevojën për më shumë fonde për mirëmbajtjen e rrugëve, por edhe në cilësinë e kompanive nënkontraktore të angazhuara në këto rrugë.

“Kërkohet shumë punë nga ana e kompansië kontraktore e ngarkuar për mirëmbajtjen e kësaj rruge, për të përdorur të gjithë proceset e nevojshme teknologjike që bora të pastrohet dhe rruga të kthehet në gjendjen normale. Në fakt kjo situatë përsërit një problem që ne jemi përpjekur ta trajtojmë. Ka të bëjë me mirëmbajtjen e  rrugëve në përgjithësi në vend, ndonëse ne kemi dyfishuar fondet, nevojat janë shumë më të mëdha”, deklaroi ministri Haxhinasto.

Për vitin e ardhshëm, tha Ministri i Transporteve, do të përgatitemi që kompanitë të cilat kujdesen për mirëmbatjen e rrugëve të kenë specializimet dhe teknologjinë e nevojshme në mënyrë që të tilla problematika të mos përsëriten.

Por Ministri nuk la pa faj edhe përdoruesit e rrugës të cilët sipas tij duhet të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të përdorin zinxhirët kur është e nevojshme. Ai i ftoi gjithashtu të informohen në buletinët që nxjerr Autoriteti Kombëtar i Rrugëve për të mësuar për gjendjen e aksit të cilin do të përshkojnë.

“Ftoj përdoruesit e rrugës që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë kërkesat që në këto akse të udhëtojnë me zinxhirë. Kjo është një domosdoshmëri duke patur parasysh temperaturat e ulta, ngricat në rrugë, lagështia që ka vetë rruga”, deklaroi Haxhinasto.

Aktualisht, tha Ministri i Transporteve, aksi rrugor Prrenjas-Qafë Thanë-Pogradec është i kalueshëm me vështirësi dhe ka ende shumë punë për t’u bërë per ta kthyer situatën në normale për qarkullimin e mjeteve.

Top Channel