“Norman Atlantic”, Kapiteneria: Italianët braktisën anijen

02/01/2015 00:00

Autoritetet shqiptare hedhin dritë mbi akuzat e ngritura nga pala italiane duke iu kundërpërgjigjur atyre me akuzën e rëndë të braktisjes së anijes.

“Nëse kapiteni do të ishte në bordin e anijes, sepse vendos ai se kush do të kapë anijen pas mbarimit të evakuimit, por meqenëse anija u braktis atëherë në këto kushte nuk ka përfaqësim se kush do të kapë tragetin. Ndërhyn autoriteti i shtetit ku ngjarja ndodh dhe ngjarja po ndodhte në ujërat shqiptare”, thotë Kapiteni i Porteve, Hysen Aruçi.

Në një dalje për mediat, Kapiteni i Porteve Hysen Aruçi shpjegon gjithë dinamikën e ngjarjes dhe pse është bërë ndërhyrja e palës shqiptare.

“Evakuimi ka përfunduar në orën 15:55 minuta dhe vetëm pas 15 minutave, sipas informacioneve që kemi, ndodh ajo që ne nuk e mendonim dhe s’e prisnim, braktisja e anijes. Komanda e operacionit nuk urdhëroi që në tragetin Norman Atlantic të afroheshin rimorkiatorët që ishin në afërsi. Bëhet fjalë për katër rimorkiatorë që kishin ardhur nga Italia. Në këto kushte mbetem në pritje të një urdhëri që duhej të jepej nga anija komandë, e cila për fat të keq deri në orën 16:40 minuta nuk u dha. Në kushtet që një anije e braktisur, 4 milje nga toka dhe 4 milje nga veri i Sazanit, atëherë duke vlerësuar këtë situata vendosëm që më rimorkiatorin e sapombërritur, rimorkiatorin Adriatik, të kapnim tragetin dhe ta mbanim atë në pozicion”, sqaron ai.

Duke u ndalur tek dërgimi i rimorikatorëve për ndihmë, Aruçi shpjegon:

“Të nesërmen në mëngjes më datë 30 unë dhashë miratimin për lëvizjen e rimorkatorit Iliria nga Porti i Vlorës në mbështetje të rimorkiatorit Adriatik i cili po mbante tragetin në kushtet e një moti ekstrem. Në orën 9 pa 10, rimorkiatori Adriatik që mbante tragetin, ishte kapur në ndihmë të rimorkatorit Iliria dhe këputja e cimës si pasojë e motit, bëri që nga këputja të bllokohej helika dhe një pjesë e cimës të godiste dy nga marinarët, pjesëtarë të ekuipazhit të rimorkiatorit, Petrit Jahaj dhe Edmond Hilaj”, thotë Aruçi.

Kapiten Aruçi hedh dhe një tjetër akuzë për autoritetet italiane.

“Nëse komanda italiane do të ndërhynte që trageti pas braktisjes nga kapiteni do të ndërhynte ta mbante tragetin me rimorkiatorët që kishte 1 milje distancë dhe ishin katër të tillë, atëherë nuk do të ishte e nevojshme që të urdhëronim rimorkiatorët shqiptarë të përfshiheshin në këtë lloj operacioni”, shpjegon ai.

Në fund Kapiten Aruçi bën të ditur se IMO, Organizata Ndërkombëtare Detare në një deklaratë të saj mbi ngjarjen ka vlerësuar kontributin e dy marinarëve shqiptarë që humbën jetën në krye të detyrës, gjë që u shmang nga pala italiane.

Top Channel