Kinë, tragjedi në ndërrimin e viteve, turma vret 36 vetë

02/01/2015 00:00

Për dëshmitarët dhe të afërmit e viktimave, ikja e rrëmujshme e ndërrimit të viteve në Shangai, ku prej goditjeve e shtyrjeve humbën jetën 36 vetë e u plagosën 47 të tjerë, ishte një tragjedi që mund të parandalohej.

Ngjarja e rëndë ka ngritur pyetje mbi kontrollin e turmave në Kinë. Sezoni festiv karakterizohet gjithmonë nga grumbullime të mëdha njerëzish në vendin më të populluar të botës dhe transporti publik përballet me sfida të mëdha gjatë kësaj periudhë të vitit.

Presidenti Xi Jinping kërkoi nisjen e hetimi përmes të cilit të sqarohet se çfarë shkoi keq mbrëmjen e së mërkurës, kur dhjetra vetë u shtypën gjatë incidentit të papritur në Bund, një prej zonave më joshëse për turistët në qytetin më të madh të Kinës.

Jingping shtoi gjithashtu se duhen nxjerrë mësime nga fatkeqësia, ndërkohë që kinezët përgatiten për kremtimet e vitit të ri hënor, festa më e madhe në vend, e cila nis me Festivalin e Pranverës më 19 shkurt e përfundon me atë të Fenerëve në 5 mars.

Viti i ri diellor, në 1 janar, nuk është koha e kremtimeve më të rëndësishme në Kine, por ashtu si Krishtlindjet dhe Halloween ka nisur të ndihet gjithmonë e më shumë në qytetet e mëdha. Për çdo rast ai vazhdon të mbetet në hije krahasuar me festimet e vitit të ri henor, kur spektaklet e fenerëve e paradat i ndjekin me miliona vetë.

Cai Lixin, zv.drejtori i Qendrës së Sigurisë Publike në Huangpu i tha gazetarëve se shkëndija e incidentit të Shangait kishte qenë ngjeshja e njerëzve në sheshin Chen Yi, ku kremtuesit që ngjiteshin shtyheshin me ata që zbrisnin.

Policia ndërkohë i përgënjeshtroi njoftimet se kaosi mund të kishte shpërthyer nga banknotat e rreme 100 dollarëshe të hedhura nga kati i tretë i një ndërtese në zonë, pasi ky episod sipas saj ka ndodhur pas tragjedisë.

Top Channel