Të hidhesh në ujin e ftohtë për bamirësi

02/01/2015 00:00

Zhytjet në ujëra të akullta janë mjaft popullore në ditën e parë të vitit të ri dhe shumë qytete amerikane e përdorin këtë event për të mbledhur para për bamirësi.

Në Rhode Island e quajnë “Kredhja e Pitbullit”. Rreth 75 vetë ishin ata që përqafuan nismën e guximshme duke u hedhur në ujin e ftohtë e dollarët e mbledhur i dhuruan për programet e stërvitjes dhe kujdesit për qentë.

Skena të ngjashme pati edhe në Atlantic City të Nju Xhersit, por pjesëmarrja këtu ishte më masive. Me qindra vetë sfiduan të ftohtin e ujit të Oqeanit Atlantik me qëllim grumbullimin e parave për shoqatën e sëmundjes së rëndë të sklerozës së shumfishtë.  

Coney Island nuk kishte si të mos e ndiqte këtë traditë të nisur që në 1903-shin. Pjesëmarrësve u kërkohet të dhurojnë 20 dollarë, të destinuara për organizatën që dërgon fëmijë me sëmundje të rëndë për kampim në Maine.

Ndryshe bëhen gjërat në San Francisko. 130 notarë guximtarë hidhen në ujrat e Gjirit në Alkatraz e bëjnë garë kush mbërrin i pari bregun. Distanca është 2 kilometra dhe notarët e shpejtë konkurrojnë për rreth 30 minuta, ndërsa ata më të ngadaltit mund të qëndrojnë në ujë edhe për një orë.

Top Channel