Trageti mbërrin në Itali, hetime për shkakun e tragjedisë

02/01/2015 00:00

Mbërriti në portin e Brindizit trageti “Norman Atlantic” që  më 28 dhjetor mori zjarr në afërsi të brigjeve shqiptare.

Pasi mjeti lundrues hyri më në fund në port, u vu menjëherë në kushte sigurie dhe u kryen kontrollet e para. Në bordin e tragetit italian hipën një skuadër zjarrëfikësish dhe grupi i hetuesve që po punojnë për zbulimin e arsyeve të aksidentit të rëndë, ku sipas bilancit të përkohshëm humbën jetën 11 persona.

Është gjetur kutia e zezë dhe prokurori i Barit Ettore Cardinali deklaroi se ka disa operacione tepër delikate që duhen kryer me kujdes shumë të madh dhe në kushte sigurie totale.

Për sa i përket numrit të të zhdukurve autoritetet italiane deklarojnë se shifra do të jepet vetëm kur Greqia të japë një listë pasagjerësh të besueshme dhe Greqia po lëviz shumë ngadalë. Gjithsesi flitet për jo më shumë 10-15 persona.

Ndërkohë në regjistrin e të hetuarve janë shtuar edhe katër persona të tjerë. Përveç pronarit të anijes dhe komandantit të saj, tani po hetohet edhe mbi dy anëtarë të ekuipazhit dhe dy punonjës të kompanisë “Anek Line”, kompania greke që kishte marrë me qira tragetin.

Top Channel