Indonezi, gjenden pjesë të avionit të “AirAsia”

03/01/2015 00:00

Ekipet e kërkimit në detin e Javës, në Indonezi, kanë gjetur dy objekte të mëdha që dyshohet se i përkasin avionit të “AirAsia” që u rrëzua fundvitin e kaluar.

Shefi i agjencisë së kërkim-shpëtimit, Bambang Soelistyo deklaroi se një robot që vepron nën ujë dhe i komanduar në distancë po vihet në punë për të fotografuar objektet. Megjithatë, moti i keq dhe deti i trazuar vazhdojnë të pengojnë operacionet.

Avioni me 162 persona në bord u zhduk nga radarët teksa fluturonte nga lokaliteti Surabaja i Indonezisë për në Singapor të dielën e kaluar.

Deri tani 30 trupa janë rekuperuar, ndërkohë që nuk janë gjetur të mbijetuar dhe po ashtu pjesët kryesore të “Airbus-it”. Shumica e trupave të pasagjerëve mendohet të kenë mbetur të bllokuar në trupin e avionit.

Zyrtari përgjegjës për kërkimet tha më tej se objektet ishin gjetur nga një anije e marinës indoneziane. “Ne gjetëm njolla vaji dhe objekte të mëdha natën e kaluar. kam besimin se ato janë pjesë të avionit të rrëzuar të “AirAsia”, të cilin ne po e kërkojmë”, deklaroi Soelistyo.

Ai tha se objektet e konstatuara kishin përmasat 10 metra me 5, por për momentin rrymat e forta i kanë bërë kërkimet nënujore tepër të vështira.

“Teksa flasim ne po ulim një robot të komanduar në distancë për të pasur një pamje të objekteve të verifikuara në thellësi. Ato ndodhen në 30 metra thellësi”, shtoi më tej zyrtari.

Ndërkohë, i dërguari i BBC raporton nga baza operative në Pangkalan Bun se, ky mund të jetë zbulimi që ekipet e shpëtimit kishin shpresuar.

Top Channel