Ebola do të marrë fund në 2015-n?

03/01/2015 00:00

Epidemia vdekjeprurëse e Ebolës do të marrë fund brenda vitit 2015, thotë shefi i misionit të OKB-së që po lufton sëmundjen.

Anthony Banbury deklaroi se numri i rasteve të infektimit me Ebolën mund të çohen në zero në fazën e parë të vitit, por pranoi se fundi i sëmundjes nuk është i afërt.

“Jemi të angazhuar në një betejë epike”, deklaroi Banbury. Virusi ka vrarë rreth 8 mijë persona, shumica e të cilëve në Sierra Leone, Liberi dhe Guine, ku sëmundja ra për herë të parë në vitin 2013.

Zyrtari i OKB-së pranoi se misioni i tij tremujor kishte dështuar në arritjen e objektivit për realizimin e varrimit 100 për qind të sigurtë të viktimave të virusit dhe për trajtimin e 70 për qind të të infektuarve.

Megjithatë ai vlerësoi përpjekjet ndërkombëtare dhe theksoi se, përgjigjia globale ndaj krizës së Ebolës ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme.

“Vazhdimi i misionit tonë do të jetë shumë i vështirë për ta çuar në zero numrin e të prekurve, por kjo është detyra jonë dhe ne do ta bëjmë. Besoj se Ebola do të marrë fund në vitin 2015”, deklaroi Banbury për gazetarët.

Më herët gjatë javës, Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se numri i personave të prekur në Liberi, Sierra Leone dhe Guine kishte kaluar 20 mijë raste. OBSH njoftoi gjithashtu se më shumë se një e treta e këtyre rasteve ishin në Sierra Leone, që është edhe vendi më i prekur nga virusi fatal.

Simptomat e prekjes nga sëmundja janë temperatura e lartë, rrjedhja e gjakut dhe dëmet në sistemin nervor qendror. Ndërkohë, ajo përhapet nga kontakti me lëngjet trupore të të infektuarit, si gjaku dhe pështyma.

Top Channel