Kur kanë mbetur 22 ditë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ish-kryeministri grek Jorgos Papandreu themelon pasditen e së shtunës një forcë të re politike.

“Është koha për një hap tjetër të madh të forcave progresive në vend. Është koha për të ndërtuar së bashku një shtëpi të re politike që do të strehojë vlerat tona progressive”, ka deklaruar ai, duke shtuar se “do të fillojmë një lëvizje që mund dhe duhet të përgjigjet në mënyrë efektive për sfidat e mëdha që përballon vendi dhe populli grek”.

Lëvizja e tij konsiderohet nga socialistet e PASOK, partia që ka themeluar babai i tij 41 vjet më parë, si një lëvizje përçarëse sidomos në këtë periudhë zgjedhore. Prej zgjedhjeve të vitit 2009, kur PASOK erdhi në pushtet me 44% të votave, kjo parti tradicionale ka pësuar një humbje të jashtëzakonshme të përkrahësve të saj.

Edhe dorëheqja e Papandreut në nëntor të 2011 nga posti i kryeministrit dhe pak më vonë nga ai i kryetarit të partisë, si dhe ardhja në krye të saj e Evangjelos Venizelos nuk ka mundur të risjellë në nivelet e para krizës numrin e votuesve të kësaj partie.

Për shumicën e bazës, hyrja e socialistëve në një qeveri koalicioni me konservatorët dhe pranimi i reformave shtrënguese të imponuara nga huadhënësit ishin shkaqet kryesore të humbjes së fuqisë së kësaj force historike, që nga një parti e majtë u shndërrua gradualisht në një parti të spektrit të qendrës, ndërsa ish-lideri i saj Papandreu kishte qëndruar pasiv deri në dështimin e zgjedhjes së presidentit më 29 dhjetor.

Sipas “Financial Times”, ndoshta kjo parti e re do të jetë rregullatori i zgjedhjeve të parakoheshme pasi vlerësohet se do të tërheqë në gjirin e saj socialistët e pakënaqur të PASOK-ut, tre deputetë të të cilëve i janë bashkuar prej disa ditësh Papandreut, bashkë me një pjesë të bazës së pakënaqur të socialistëve që kishin kohë që ishin drejtuar tek Radikalët e Majtë, si dhe një pjesë e anëtarëve të partisë së re “Lumi”.

Duke parë se në sondazhet e fundit katër parti, PASOK, Agimi i Artë, Lumi dhe PKG luftojnë për të qenë forca e tretë politike e vendit, pasi përqendrojnë nga 3 deri në 7% të votave, partia e re e Papandreut futet në këtë betejë zgjedhore me premisat më të mira dhe ndoshta mund të bëjë surprizën.

Top Channel