Zhbllokohen disa akse rrugore, por kalimi bëhet me zinxhirë

03/01/2015 00:00

Autoriteti Shtetëror i Rrugëve ka publikuar paraditen e së shtunës informacione të reja mbi gjendjen e akseve rrugore në vend, në disa prej të cilave ka ndryshime të situatës, ndërsa në të tjera rekomandohet ende pajisja e gomëve të automjeteve me zinxhirë.

Sipas një njoftimi për shtyp, përdorimi i pajisjeve parandaluese të aksidenteve sugjerohet në akset Librazhd-Stëblevë në Elbasan, Erind-Çajup në Gjirokastër dhe në Korçë-Dardhë të qarkut Korçë.

Sipas të dhënave zyrtare, situata në këto segmente rrugore është përmirësuar si rrjedhojë e përmirësimit të kushteve atmosferike, si dhe punës së borëpastrueseve, por megjithatë ngricat mbeten të pranishme.

E njëjta situatë paraqitet edhe në qarqet veriore të vendit, kryesisht në Dibër dhe Shkodër, ku akset Mali-Flet dhe Fushë Arrëz-Qafë Shllak mund të kalohen po ashtu me ndihmën e zinxhirëve.

Ndërsa mes segmenteve që mund të përshkohen lirshëm dhe pa pajisje shtesë figurojnë Qafa e Llogarasë në Vlorë, si dhe akset në Kukës dhe Lezhë, që tashmë rezultojnë plotësisht të kalueshme.

Ulja e temperaturave në mënyre të ndjeshme, deri në 16 gradë nën zero në disa qarqe të vendit, kryesisht ato veriore, solli bllokimin e rrugëve rurale, të cilat rezultonin të pakalueshme, ose shumë të vështira për t’u kaluar edhe me zinxhirë.

Vetë ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, i cili vizitoi të premten kalimin e Qafë Thanës të mbuluar nga bora, deklaroi se përdorimi i zinxhirëve ishte një domosdoshmëri.

Top Channel