2014, vit i zi për box office

03/01/2015 00:00

Nuk ka shkëlqyer viti kinematografik 2014 në Shtetet e Bashkuara, të paktën sa i takon aspektit financiar. Nga të dhënat paraprake rezulton një rënie e ndjeshme e biletave të shitura krahasuar me vitin 2013, duke shënuar rezultatin më negativ në 20 vjet.

Ndikimin kryesor në këtë ecuri e kanë pasur performancat e premierave pranverore dhe verore, të cilat kanë rezultuar nën pritshmëritë dhe kanë shkaktuar një humbje të rëndë, që nuk është kompensuar dot nga rezultatet pozitive të muajit të fundit të vitit.

Box office u dominua nga filmat e Disney me heronjtë e Marvel. “Gardians of Galaxy” me 332 milionë dollarë la pas “Hungry Games” me 306 milionë.

Episodi i fundit i sagës së bazuar në romanet e Suzanne Collins, që u shfaq në nëntor, siguroi një rezultat më të ulët krahasuar me dy episodet e para, në 2012 dhe 2013, duke ndjekur kështu fatin analog të sagave të tjera.

“The Amazing Spider-Man 2” i shfaqur në maj dhe “Transformers 4” në qershor nuk ishin, për shembull, në lartësinë e filmave parardhës.

Kapitulli i katërt i sagës që mban regjinë e Michael Bay është renditur vetëm i pesti në SHBA, pas “Captain America: The Winter Soldier” dhe “The Lego Movie”.

Megjithatë, filmi në fjalë u rekuperua në nivel botëror duke u renditur i dhjeti me të ardhura mbi 1 miliard dollarë, falë shikueshmërisë së lartë në Kinë.

Top Channel