Sigurimet, tregu që nuk njeh krizë

03/12/2014 00:00

Të dhënat e fundit zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare
tregojnë se tregu i sigurimeve u zgjerua me 37 për qind krahasuar me një
vit më parë, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve për siguracionet
e automjeteve.

Sipas të dhënave deri në fund të nëntorit kompanitë e sigurimeve arkëtuan në total nga primet 10.4 miliardë lekë ose 2.8 miliardë më shumë se vitin e kaluar. Në të njëtën kohë dëmet që paguan u rritën me vetëm 6.43 për qind ose rreth 150 milionë lekë.
 
Shifrat tregojnë se zgjerimi i tregut të sigurimeve ka ardhur thuajse i gjithi nga mjetet motorike, sigurimi i të cilave është i detyruar me ligj.  

Sipas AMF, konsumatorët shqiptarë kanë paguar këtë vit për sigurimin e makinave apo mjeteve të tjera motorike që zotërojnë 2.7 miliardë lekë më shumë se në 2013-ën. AMF thotë se shkaku kryesor ishte rritja e çmimeve.

Dy vitet e mëparshme për shkak të luftës për treg mes kompanive, çmimet e siguracioneve për makinat zbritën në nivele minimale, deri në 5 mijë lekë. Kjo ngriti shqetësime jo të vogla për qëndrueshmërinë financiare të gjithë industrisë, pasi çmimet nuk mbulonin as kostot më minimale.
 
Pas presioneve të forta nga AMF, në fillim të këtij viti kompanitë i rritën çmimet me mbi dy herë ndonëse përmes një skeme që shkaktoi dyshime si lëvizje e koordinuar. Dhe ndryshe nga herët e tjera, këto te  ardhura duket se i kanë rezistuar tundimit që vjen nga lufta për treg duke i mbajtur të qëndrueshme.  

Top Channel