Hetimet për djegien e tragetit, prokurorët marrin kutinë e zezë

03/12/2014 00:00

Prej ditës së premte trageti “Norman Atlantic” u ankorua në portin e jashtëm të Brindisit. Me të arritur aty hetuesit e çështjes, edhe pse me vështirësi arritën të hynin dhe të siguronin kutinë e zezë prej saj si elementin e parë për të bërë të mundur konstatimin e shkakut të zjarrit dhe dinamikën e ngjarjes.

Anija u vizitua edhe nga zv.Prokurori i Barit, Ettore Cardinali i cili menjëherë pas saj u shpreh para gazetarëve në lidhje me situatën.

“Kutia e zezë do të analizohet në Bari gjatë ditëve në vazhdim nga një teknikë e specializuar. Si fillim bëmë një vizitë të parë për të kontrolluar mundësitë e hyrjes në anije, si në kuvertë ashtu edhe brenda. Në këtë moment në pjesën e brendshme të ‘Norman Atlantic’ për arsye sigurie nuk është e mundur të hyhet për të verifikuar përbërjen, qoftë edhe trupa të mundshëm që nuk mohohet të ketë”, tha Ettore Cardinali.

Ndërkohë gjatë paradites së të enjtes mediat italiane bënë me dije se të nëntë trupat e e pajetë arritën të identifikohen dhe ndër ta ishte edhe një vajzë 15-vjeçare shqiptare me leje qendrimi gjermane, emri i së cilës është Raka Sherifi, por në një reagim zyrtar Ministria e Jashtme theksoi se nuk ka asnjë kërkesë dhe asnjë denoncim për ndonjë shtetas shqiptar të zhdukur.

Deri më tani nuk ka asgjë zyrtare sa mund të jetë numri i humbjes në njerëz, por versioni më optimist parashikon që ata të jenë maksimumi 15. Kjo gjë konfirmohet nga vetë Prokurori i Barit, Giuseppe Volpe i cili në një komunikatë për shtyp theksoi se shifrat zyrtare do mund të bëhen të ditura vetëm kur shteti grek të vendosë t’i dorëzojë Italisë listën e plotë të udhëtarëve në bord.

Ekziston ndërkohë frika se gjatë kontrollit brenda tragetit, veçanërisht në hangarin e makinave, mund të ketë të tjerë trupa të pajetë, pasi dyshohet se ka patur klandestinë.

Përsa i përket përgjegjësve të kësaj ngjarjeje të rëndë, Prokuroria e Barit ka regjistruar deri tani katër të dyshuar të tjerë mbi çështjen, si pjesë e hetimit për shkakun e fundosjes së anijes. Ndër ta listohet edhe përfaqësuesi ligjor i shoqërisë greke “Anek Lines” që kishte marrë me qira anijen, punonjësi i kompanisë në fjalë, Pavlos Fantakis, ashtu sikurse dhe dy anëtarë të ekuipazhit të “Norman Atlantic”, Luigi Iovine dhe Francesco Romano.

Kapiteneria e Portit të Brindisit bëri me dije se “Norman Atlantic” do transferohet në Bari.

Top Channel