Liam Neeson: “Taken” ka trembur amerikanët

03/01/2015 00:00

Aftësitë e Liam Neeson si aktor duket se nuk kanë ndikuar në promovimin e Evropës si destinacion turistik për amerikanët.

Aktori irlandez ka zbuluar se ka marrë një seri letrash nga qytetarë amerikanë që kanë anuluar planet për të udhëtuar në kontinentin e vjetër pasi kanë parë sagën “Taken”, që ka pengmarrjen si subjekt.

“Vetëm një ditë më parë mora një letër nga një mësuese në Teksas që ishte përpjekur të shkonte me 60 studentë në Evropë dhe familjet e 40 prej tyre nuk i lejuan fëmijët sepse kishin parë “Taken 2””, ka treguar Neeson në një program televiziv të transmetuar më 2 janar.

Neeson ishte i pranishëm në këtë program për të promovuar episodin e tretë të sagës që e ka bërë të famshëm, por që këtë herë nuk ka në fokus rrëmbimin dhe grupin kriminal të shqiptarëve.

“U thash producentëve se nuk do ta kisha bërë episodin e tretë nëse dikush sërish do të rrëmbehej. Është fyese për një audiencë të caktuar dhe po ashtu për mua. Ndërsa në këtë episod të fundit unë jam gjahu dhe jo gjahtari”, ka thënë Neeson.

Top Channel