Kompensimi i pronarëve, procesi për truall nis më 5 janar

03/01/2014 00:00

Në datën pesë janar 2015 Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave
do të hapë sportelet për qytetarët të cilët duhet të aplikojnë për
kompensimin financiar për tokën truall të shpronësuar.

Gjatë një interviste për Top Channel Drejtorja e Përgjithshme e AKKP njoftoi se procesi i aplikimit do të zgjasë një muaj, ndërkohë që brenda 90 ditëve agjencia do të kryejë verifikimet përkatëse, ndërsa emrat e fituesve do të publikohen sipas një procesi transparent.

“Me miratimin nga ana e qeverisë së VKM-së për shpërndarjen e fondit për kompensimin në të holla për subjektet e shpronësuara në vlerën 300 milion lekë, AKKP në zbatim të kësaj VKM ka marrë përsipër dhe ka kryer të gjitha procedurat paraprake për nisjen e procedurave për regjistrimin e kërkesave të subjeteve të shpronësuara. Këto procedura, dhe kjo është në interesin e të gjithë qytetarëve, nisin më 5 janar dhe zgjasin për një afat 30 ditor, deri më 5 shkurt 2015”, thotë Sonila Qato, Drejtore e AKKP-së.

Qytetarët duhet të depozitojnë kërkesën për kompensim financiar të shoqëruar me një vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave i cili duhet të jetë përfundimtar dhe i ekzekutueshëm, bashkangjitur me të edhe një hartë të miratuar, plani i pronës, një dëshmi trashëgimie, prokurë e posaçme, si edhe një vërtetim nga banka për një numër llogarie.

“Vendimi i qeverisë është hapur për kompensimin e pronarëve që kanë në duart e tyre një vendim kompensimi të zërit kadastral truall. Është shumë e rëndësishme të bëjmë me dije të gjithë subjektet e interesuara se do të pranohen në sportelet tona vetëm vendimet e kompensimit për zërin kadastral truall dhe jo për zëra të tjerë kadastralë. Në fakt gjithë këto vite proces kthimi dhe kompensimi pronash, por edhe në procesin e kompensimit financiar që ka filluar në vitin 2005 është realizuar vetëm kompensimi financiar i zërit kadastral truall dhe nga viti 2005 deri në vitin 2013 rreth 21 mijë vendime kompensimi që ne kemi gjatë këtij viti në zyrat tona, me transparencën që realizuam, vetëm 700 vendime kompensimi janë ezauruar në këtë proces, edhe pse është i pjesshëm. Ne kemi synimin dhe ambicien që nga viti 2015, me reformën që duam të realizojmë në këtë fushë, të realizojmë dhe krijojmë një mekanizëm, një formulë të re për kompensimin e pronarëve që do të përfshijë të gjithë subjektet e interesuar që kanë vendime kompensimi pavarësisht zërit kadastral të tyre”, sqaron Qato.

Që në tetor të vitit 2013 ky proces ishte bllokuar për shkak të rikonfigurimit të Agjencisë.

Top Channel