Ebola, aleatja e koalicionit kundër ISIS-it

03/01/2014 00:00

Organizata Botërore e Shëndetësisë po i verifikon raportet, por nëse
rezultojnë të vërteta, atëherë koalicioni anti-ISIS do të ketë gjetur
një aleat të papritur e të pazakontë: Ebolën.

Tre kanale mediatike pretendojnë se luftëtarë ekstremistë janë paraqitur në një spital irakian me simptoma të sëmundjes së tmerrshme. Bëhet fjalë për një klinikë të qytetit verior të Mosulit, i cili kontrollohet prej xhihadistëve.

Mediat në fjalë citojnë burime kurde dhe irakiane për lajmin e dhënë. Megjithatë asgjë nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe zëdhënësi i OBSH-së, Christy Feig sqaroi se Organizata po përpiqet të kontaktojë me zyrtarë lokalë për të marrë një informacion sa më të saktë mbi situatën.

Punonjësve të OKB-së nuk iu lejohet hyrja në zonat e kontrolluara nga ISIS si në Irak, ashtu edhe në Siri. Mosuli është në duart e ekstremistëve që prej qershorit dhe përgjatë këtyre muajve të fundit, militantët thuhet të kenë ekzekutuar mbi një duzinë mjekësh për shkak se kanë refuzuar të kujdesen për luftëtarët e plagosur.

Sipas gazetës proqeveritare irakiane “al-Sabaah”, sëmundjen e kanë sjellë në Mosul xhihadistët e mbërritur nga Afrika. Për çdo rast, simptomat e Ebolës, që përfshijnë të vjellat, diarrenë, hemoragjinë e mavijosjet, janë të ngjashme me ato të malarjes dhe etheve të vërdha, ndaj mund të gabohet lehtësisht në diagnostikim.

Nëse njoftimet e medias kurde janë të vërteta, atëherë pasojat e një situate të tille, edhe pse të favorshme në betejën kundër ekstremistëve, mund të rezultojnë nga ana tjetër katastrofike për banorët e rajoneve të pushtuara nga ISIS-i. Përpos kësaj, ekziston edhe rreziku që grupi ta kthejë sëmundjen në një armë të veten, duke i dërguar bartësit e virusit jashtë kufijve për të infektuar njerëz të tjerë.

Top Channel