Inter, pas Podolskit synohet edhe Shaqiri, Bayern kërkon 15 mln euro

04/01/2015 00:00

Merkato e janarit ka nisur tepër e vrullshme për Interin, teksa pasi kanë siguruar shërbimet e sulmuesit gjerman Lukas Podolski, drejtuesit zikaltër po ushtrojnë presion për t’i rrëmbyer Bayern Munchenit edhe shqiptaro-zvicerianin Shaqiri.

Këtë gjë e tregon edhe prezenca në “Appiano Gentile” e vëllait agjent të lojtarit të bavarezëve, i cili është takuar me drejtorin sportiv të Interit, Ausilio. Gjigantët e Bundesligës kërkojnë plot 15 milionë euro, ndërkohë që klubi në pronësinë e Thohir ka propozuar një huazim me detyrim blerjen po për këtë shifër.

Megjithatë, në garë për Shaqirin është edhe Liverpool, që duket se është e gatshme ta plotësojë menjëherë kërkesën e Bayern Munchen, duke e blerë përfundimisht fantazistin e Zvicrës.

Duket se Shaqiri i ka prishur marrëdhëniet me Bayernin, klub me të cilin ka një kontratë deri në fund të 2016-s, ndaj dhe gjithçka pritet të jetë më e lehtë për zikaltrit, teksa Mancini synon kështu përforcimin e radhës cilësor, pas Podolskit.

Propozimi i Interit vjen në fakt edhe në respektim të kufizimeve të imponuara nga rregulli “Fair Play” financiar, teksa dy janë mundësitë: 2 milionë euro menjëherë dhe 13 të tjerat në fund të sezonit, kur dhe do të blihet përfundimisht kartoni i lojtarit, ose 15 milionë në fund të huazimit për këtë gjysmësezoni të mbetur.

Top Channel