Sulmi ndaj “Sony”, Korea: Sanksionet e SHBA-ve armiqësore

04/01/2015 00:00

Korea e Veriut ka reaguar sërish pas vendosjes së sanksioneve të reja prej Shteteve të Bashkuara, duke i përshkruar ato si pjesë e një politike armiqësore dhe provokuese të Amerikës, kjo për shkak të sulmit madhor kibernetik kundër kompanisë “Sony Pictures”.

Shtetet e Bashkaura vendosën sanksione ndaj 3 organizatave koreano-veriore, si dhe ndaj 10 individëve, pasi Byroja Federale e Hetimit (FBI) fajësoi Penianin për sulmin kibernetik. Korea e Veriut lavdëroi sulmin ndaj “Sony”-t por mohoi përfshirjen e saj në atë sulm.

Përgjigjet dhe kundërpërgjigjet vijnë pas një periudhe disi të tensionuar që nisi vetëm pak ditë përpara se “Sony” të shfaqte komedinë “The Intervieë”, e cila flet mbi një komplot për të vrarë liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un.

“Sony” anuloi fillimisht planet për ta shfaqur filmin nëpër kinematë amerikane, por për shkak se u kritikua ashpër edhe nga vetë Presidenti amerikan Barack Obama, kompania vendosi ta publikonte atë online dhe në një numër të kufizuar kinemash.

Sanksionet e SHBA-ve të vendosura të premten shënojnë kështu herën e parë që Amerika vendos të ndëshkojë një shtet tjetër, për shkak të një sulmi kibernetik ndaj një kompanie amerikane. Gjatë shpalljes së tyre, zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë për reporterët se kjo lëvizje vinte si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të hackerave kundrejt “Sony”-t, por të sanksionuarit nuk janë përfshirë drejtpërdrejt në këto sulme.

Agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA, reagoi të dielën duke cituar një zëdhënës të Ministrisë së Jashtme të ketë thënë: Politika e ndjekur vazhdimisht nga SHBA-të për të shtypur kundërshtarin e tyre (Korenë e Veriut), thjesht sa e përkeqëson situatën dhe vetëm sa do të ngurtësojë dëshirën dhe vendosmërinë e vendit tonë për të mbrojtur sovranitetin e Koresë. Veprimet e vazhdueshme dhe të njëanshme të ndërmarra nga Shtëpia e Bardhë, me vendosjen e sanksioneve kundër Koresë Veriore, provon dukshëm absurditetin dhe armiqësinë kundrejt vendit tonë”.

Top Channel