“Air Asia”, kërkimet hyjnë në javën e dytë, moti i keq pengesë

04/01/2015 00:00

Kërkimet për rrënojat kryesore të fluturimit QZ 8501 të “Air Asia” në detin Java kanë hyrë në javën e dytë, ndërkohë që moti i keq vijon të vështirësojë operacionet. Polumbarët shpresonin për kushte më të mira klimatike, por shpesh janë përballur me pezullime të vazhdueshme të kërkimeve.

Një objekt i pestë i madh, që mendohet të jetë rrënojë e aeroplanit, është lokalizuar nën ujrat e detit Java, ndërsa është gjetur edhe një tjetër trup i pajetë, duke e çuar numrin e viktimave në 31 deri më tani.

Fluturimi QZ 8501 u zhduk gjatë udhëtimit prej Surabayas në Indonezi drejt Singaportit, të dielën e kaluar, me 162 persona në bord. Moti i keq besohet të ketë qenë faktori më i rëndësishëm në këtë përplasje fatale.

Kutitë e zeza të “Airbus-it A320”, siç njihen ndryshe regjistruesit e të dhënave të fluturimit, ende nuk janë lokalizuar. Shumica e trupave të viktimave besohen të kenë mbetur të bllokuar në avion.

Të shtunën, zyrtarët thanë se një anije që kishte përdorur gjurmues uji (hidrolokator) kishte pikasur 4 pjesë të mëdha që mendohen të jenë të avionit në fjalë, ndër të cilat më e madhja ishte 18 metra e gjatë dhe 5.4 metra e gjerë, në thellësinë e 30 metrave.

Kamera nënujore janë përdorur në përpjekje për të fotografuar objektet, por dallgët deri në 5 metra lartësi kanë vështirësuar përpjekjet. Të dielën, shefi i agjencisë së kërkim-shpëtimit, tha se një objekt i pestë me përmasa 9.8 metra me 1.1 metra, është pikasur në fund të detit.

Top Channel