Palestina drejt Gjykatës së Hagës, Izraeli ngrin të ardhurat nga taksat

04/01/2015 00:00

Izraeli ka vendosur të ngrijë transferimin e më shumë se 127 milionë dollarë të ardhura nga taksat, të cilat i ka mbledhur në emër të palestinezëve, për shkak të lëvizjes më të fundit të këtyre të fundit për t’iu bashkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve, në Hagë, njoftoi të shtunën gazeta izraelite “Haaretz”.

Një zëdhënës i Organizatës për Çlirimin e Palestinës tha se ngrirja e të ardhurave nga taksat është vendim që i përket Izraelit. “Palestinezët kanë ndërmarrë një hap ligjor në lidhje me Gjykatën e Hagës dhe nuk do të bëjmë prapakthehu. Ata thjesht sa po i përgjigjen hapit tonë ligjor me një hap tjetër joligjor”, tha Xavier Abu Eid, zëdhënës i PLO-së.

Autoritetet izraelite ende nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim për hapat e tyre të fundit, por të mërkurën, Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, nënshkroi një kërkesë për t’iu bashkuar Gjykatës Penale të Hagës.

Lëvizja e fundit e Abbas vjen vetëm një ditë pasi Këshilli i Sigurimit të OKB-së refuzoi një rezolutë që bënte thirrje për krijimin e shtetit palestinez brenda 2017-s, si dhe detyronte Izraelin të tërhiqej nga Bregu Perëndimor dhe Jeruzalemi Lindor, territore këto të pushtuara kohësh.

Kërkesa nga Autoriteti Palestinez, nëse miratohet, i hap rrugën palestinezëve të ngrejnë akuza për krime lufte kundër Izraelit. Departamenti amerikan i Shtetit, gjithsesi, ka bërë të ditur se është “thellësisht i shqetësuar” nga lëvizja e fundit e Autoritetit Palestinez, duke e konsideruar atë një “hap përkeqësues”, duke shtuar se “negociatat e drejtpërdrejta janë e vetmja rrugë reale” për arritjen e paqes mes Izraelit dhe Palestinës.

Lëvizja “është tërësisht joproduktive dhe nuk bën asgjë për të çuar përpara aspiratat e popullit palestinez për një shtet sovran dhe të pavarur. Ajo përkeqëson së tepërmi atmosferën me njerëzit e shumtë, të cilët në fakt kërkojnë të arrijnë paqen mes tyre”, deklaroi DASH.

Top Channel