Gjermania, e gatshme të pranojë daljen e Greqisë nga eurozona

05/01/2015 00:00

Një raport i publikuar në të përditshmen gjermane “Der Spiegel”, e që citon burime nga qeveria gjermane, bën të ditur se Kancelarja Angela Merkel është gati të lejojë Greqinë të dalë nga eurozona, nëse grekët do të zgjedhin një qeveri që do të braktisë masat shtrënguese. Berlini, sipas raportit, sa vjen e bindet gjithnjë e më shumë, që dalja e Greqisë nga zona e euros është mëse e përballueshme.

Qeveria gjermane thuhet se është e përgatitur të pranojë largimin e Greqisë nga eurozona, nëse kjo do të ishte e nevojshme. Në publikimin e së shtunës të kësaj reviste, bëhet e ditur se Kancelarja Merkel dhe ministri i Financave Wolfgang Schauble besojnë se një zhvillim i tillë nuk do të ishte i papërballueshëm për pjesën tjetër të eurozonës.

Raporti citonte progresin e bërë në eurozonë që prej vitit 2012, kur kriza e borxheve të eurozonës thuhet të ketë kapur majën më të lartë, duke hedhur poshtë kështu frikën se një ndodhi si “grexit” (dalje e Greqisë nga eurozona) do të shkaktonte disintegrim në unionin e monedhës europiane.

“Rreziku i efektit domino është i kufizuar, sepse Portugalia dhe Irlanda janë rehabilituar në mënyrë të konsiderueshme”, është cituar të ketë thënë një burim qeveritar nga “Der Spiegel”. Madje, Mekanizmi i Qëndrueshmërisë Europiane (ESM), apo fondi për shpëtimin e eurozonës, shihet tashmë si një mekanizëm efektiv dhe i mundshëm për shpëtim. Bankat kryesore do të ishin të mbrojtura nga unioni bankar.

E megjithatë, një kthesë e këtillë në politikën e jashtme gjermane pritet të konfirmohet nga qeveria, pasi Berlini në të kaluarën ka qenë i vendosur të mbajë Greqinë në bllokun europian. Aksionet europiane dhe obligacione të caktuara të eurozonës kanë rënë ndjeshëm gjatë javës së kaluar, pasi Parlamenti grek refuzoi kandidatin e kryeministrit Antonis Samaras për President. Kjo e çoi vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, të cilat me shumë mundësi priten të fitohen nga partia opozitare “Syriza”, sipas sondazheve të fundit. Zgjedhjet do të mbahen më 25 janar.

Lideri i radikalëve të majtë, Alexis Tsipras, është angazhuar të përmbysë reformat e deritanishme të imponuara prej huadhënësve ndërkombëtarë të Greqisë, ku përfshihen Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Top Channel