Basha: Rritje 50% taksave në vitin 2015, duhet të reagojmë

04/01/2015 00:00

Reagimin e parë për vitin 2015, kryetari i opozitës Lulzim Basha e ka bërë përmes një postimi në profilin e tij në Facebook dhe atë ia ka kushtuar ekonomisë.

Vendi po shkon në drejtimin e gabuar, sipas Lulzim Bashës, për të cilin nga viti në vit po shtohet skamja. Kjo, pasi ai thotë se nga 1 janari i 2015-s janë rritur me 50% taksat për biznesin, qiratë dhe tatim-fitimin. Kjo është vazhdim i politikave të një viti më parë, vendosjes së taksës progresive që sipas Bashës goditi njerëzit më të aftë: profesionistët e çdo fushe.

Të keqen më të madhe që ai thotë se nuk po ndalet, Lulzim Basha e sheh tek ajo që quan eleminimi i shtresës së mesme.

“Shtresa e mesme është sinonim i sipërmarrjes, investimit, rritjes ekonomike dhe punësimit”, shkruan ai.

“Kjo shtresë duhet mbrojtur dhe konsoliduar me çdo kusht”, vijon më tej Basha, për të cilin vetëm në vendet oligarke të lindjes, ku përfshin edhe atë që quan “regjimi Rama-Meta”, shtresa e mesme sulmohet me taksim të pandershëm dhe presion politik, thotë ai që ndan bindjen se synimi është eleminimi i saj.  

“Ky është rrezik real. Duhet të reagojmë. Duhet të mbrojmë arritjet e shoqërisë dhe ekonomisë kombëtare”, shkruan Basha duke mbyllur postimin me thirrjen për të ndalur të keqen. Sipas tij, “sot mund ta ndalim të keqen. Nesër mund të jetë vonë”, përfundon Lulzim Basha.

Top Channel