Londër, arrestohet banda shqiptare e pastrimit të parave

04/01/2015 00:00

Katër shqiptarë me banim në Londër janë kapur në flagrancë me 300 mijë sterlina, të cilat i transportonin me makina.

Pas një operacioni të gjerë survejimi nga Agjensia Britanike e Luftës kundër Krimit, e njohur si FBI-ja britanike, detektivët kanë kapur shqiptarët rreth të 30-ve, duke transportuar paratë me makina apo në banesat e tyre në qendër dhe veri të Londrës, ku u janë gjetur edhe dokumenta false identiteti italiane dhe greke.

Shqiptarët e kanë pranuar fajësinë në Gjykatën e Reading dhe janë dënuar me 7 vjet e gjysmë burg, ndërkohë që dy të tjerë, njëri me shtetësi britanike, janë dënuar me kusht. Të dënuarit do të deportohen në Shqipëri pas vuajtjes së dënimit.

Kryedetektivi britanik George Rakoëski thotë se “të gjithë pjesëtarët e krimit të organizuar kanë neviojë për shërbimin e pastrimit të parave për t’i bërë paratë e krimit të duken si legjitime dhe këta të dënuar kanë qenë të përfshirë pikërisht në këtë ndërmarrje”.

Sipas detektivit, Agjensia Britanike e Luftës kundër Krimit është e vendosur të frustrojë krimin e organizuar dhe planet e tyre dhe do ua sekuestrojë paratë e do i nxjerrë ata përpara drejtësisë.

Vitet e fundit ka pasur një shtim të rasteve kur shqiptarët janë kapur me sasi mjat të mëdha parash pa qenë në gjendje të justifikojnë origjinën e tyre, madje edhe në raste kur kanë jetuar veçse disa muaj në Britani.

Mendohet se këto sasi të mëdha të sekuestruara janë produkt i veprimtarive kriminale dhe kryesisht të trafikimit të drogës, një krim që ka marrë përmasa të frikshme në mesin e shqiptarëve të Britanisë, ku thuajse çdo muaj shkatërrohet nga një grup syresh.

Krimi shqiptar në Britani ishte në qendër të bisedimeve së fundmi në Londër të ministrit të Brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri dhe drejtuesve më të lartë të Agjensisë Britanike të Luftës kundër Krimit.

Top Channel