30 vjet mbyllur në një dhomë

04/01/2015 00:00

Një ngjarje shokuese është zbuluar në Meksikë. Dy motra të mbajtura për 30 vite të mbyllura në një dhomë nga prindërit e tyre janë liruar nga autoritetet e shtetit të Chihuahuas.

Franciska Valles Campos dhe Luz Ofelia, përkatësisht 35 dhe 38 vjeç, janë izoluar për tre dekada në një dhomë të shtëpisë së tyre, ku jetonin me prindërit dhe tre vëllezërit. Policia lokale i gjeti ato në kushte të këqija. Të palara prej vitesh, dy gratë kanë edhe sëmundje infektive. Njëra prej tyre është shtruar në spital pasi ka pasur edhe plagë të ndryshme. Përgjegjësja e Komisionit Shtetëror të të Drejtave për Njeriun në Chihuahua, Corral Shaar, ka treguar se në momentin e gjetjes së tyre, trupat e dy grave kishin vetëm nga një mbulesë sipër.

Megjithëse shkaku i mbylljes së tyre nuk është ende i qartë, mediat lokale raportojnë se kjo situatë mund të jetë shkaktuar për shkak të problemeve mendore që duket se kanë të gjithë pjesëtarët e familjes. Sipas tyre, në rajon ka nivel të lartë injorance dhe prej vitesh qarkullojnë zëra se narkotrafikantët mund të rrëmbejnë në çdo moment vajzat.

Top Channel