Librazhd, komunat e thella të bllokuara nga dëbora dhe pa energji

04/01/2015 00:00

Mijëra banorë të komunave të thella të Librazhdit vazhdojnë prej një jave të jenë të bllokuar nga dëbora dhe në errësirë për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Grupe pune të OSHEE nga Durresi, Shijaku, Tirana e Gjirokastra, janë bashkuar në grupet e Elbasanit dhe Librazhdit për të riparuar defektet e rënda që shkaktoi moti i keq në këto zona. Ata thonë se po bëjnë maksimumin në një terren ku mund të lëvizin vetëm në këmbë së bashku me materialet që u nevojiten.

Administratori i OSHEE, Ardjan Çela i shoqëruar nga një grup pune inspektoi sot fshatin Gizavesht, në komunën Qendër të Librazhdit, ku moti i keq ka rrëzuar dhjetëra shtylla dhe ku po punohet së bashku me banorët e zonës për rikthimin e energjisë.

Banoret e këtyre zonave shprehen se një situatë e tillë kishte vite pa u parë. Por , pavarësisht mungesës së energjisë elektrike, ata i tremben mungesës së rrugëve, të cilat në raste të emergjencave shëndetësore mund t’u rrezikojnë jetën.

Këto komuna janë të bllokuara që prej datës 28 dhjetor kur dëbora binte me intensitet të lartë. Në disa zona trashësia e dëborës i kaloi 50 cm dhe nëse reshjet do të vazhdojnë situata pritet të përkeqësohet.

Top Channel