Papa Francesk: Ndal shfrytëzimit të njeriut nga njeriu

04/01/2015 00:00

Urimi i Papa Francesk për vitin 2015 është ndalimi i shfrytëzimit të njeriut nga njeriu. Ati i Shenjte foli përpara turmës së madhe të njerëzve të mbledhur në sheshin “Shën Pjetër” për lutjen katolike Angelus.

Duke e konsideruar si një plagë sociale këtë shfrytëzim, ai u kujtoi të gjithëve se Viti i Ri nisi duke festuar ditën ndërkombëtare të paqes me temë “Jo më skllevër, por vëllezër”.

“Çdo njeri dhe çdo popull ka uri dhe etje për paqe, ndaj ka nevojë urgjente për t’a ndërtuar atë”, tha Papa Francesk, duke shtuar se paqja nuk është vetëm mungesë lufte, por një kusht i përgjithshëm, në të cilin njeriu është në harmoni me veten, natyrën dhe të tjerët. Nuk ka të ardhme pa qëllime dhe projekte për paqen dhe secili mund të ndihmojë duke bërë gjeste të vogla.

Ati i Shenjtë bëri me dije edhe emërimin e 15 kardinalëve, i cili do të kryhet në mbledhjen e ardhshme të kardinalëve që do të zhvillohet më datë 14 shkurt. Ata do të jenë nga 14 vende të ndryshme të botës. Edhe në këtë zgjedhje Papa Francesk është konsideruar nga mediat e huaja si Papa i periferive, duke qenë se ka lënë mënjanë selitë më prestigjioze, si ajo e Torinos dhe e Venecias.

Një emërim i papritur dhe domethënës konsiderohet ai për arkipeshkvin e Agrigentos Francesco di Montenegro, figurë thelbësore e kishës së pritjes së emigrantëve.

Top Channel