Durrës, zhduken dy peshkatarë. Polumbarët vazhdojnë kërkimet

05/01/2015 00:00

Ende asnjë rezultat nga operacioni i kërkim-shpëtimit të dy peshkatarëve
amatorë që rezultojnë të zhdukur që nga mbrëmja e së dielës në Durrës.

Avni Shahinaj dhe Bekim Mançinaj dolën për peshkim, me një barkë të vogël, pasdrekën e së dielës në fshatin “Rinia”, po nuk janë kthyer më.

Natën e së njëjtës ditë, të alarmuar nga moti i keq dhe moskthimi në shtëpi familjarët e peshkatarëve kanë kërkuar ndihmë në polici. Në operacionin e kërkim-shpëtimit, që ka nisur pas marrjes së informacionit janë përfshirë mjete të Rojes Bregdetare, policisë kufitare, si dhe efektivë policie që kanë kërkuar përgjatë bregut. Në ndihmë të tyre janë vënë dhe familjarë, të afërm dhe bashkëfshatarë të peshkatarëve, ndërsa shumë prej tyre shprehen të pakënaqur nga ecuria e deritanishme e operacionit dhe kërkojnë intensifikimin e kërkimeve edhe nga ajri me helikopterë.
 
Konstatimi i një objekti në thellësi që u dyshua të jetë një prej trupave, pas verifikimit rezultoi i pasaktë, ndërsa në drekë u gjet një barkë e përmbysur në afërsi të Kepit të Palit, por nga dëshmitë e dhëna ajo nuk ka karakteristikat e barkës me të cilën kanë dalë në det të zhdukurit.

Pasditen e së dielës deti ka regjistruar forcën 5 ballë dhe dyshohet që dallgët të kenë përmbysur barkën e peshkatarëve, ndërsa temperaturat e ulta të ujit dhe largësia me bregun mund t’u ketë marrë jetën.

Top Channel