Dëshmia e 17-vjeçares: Gjejini dhe dënojini shokët e mi

05/01/2015 00:00

Gjimnazistja me inicialet Xh.K., gjatë seancës së marrjes në pyetje,
është shprehur se nuk mbante mend asgjë nga nata e 28 shkurtit, përveç
orëve të para kur kishin nisur të pinin alkool.

Burime të policisë thanë se gjatë dy orëve të marrjes në pyetje, në dëshminë e saj adoleshentja 17-vjeçare, nxënëse në vitin e dytë të gjimnazit “Petro Nini Luarasi” tha se kishin dalë si shoqëri në një nga lokalet e Tiranës. Sipas saj, në tavolinë ishin më shumë se tre persona dhe pasi konsumuan për shumë orë alkool, ajo nuk ishte ndier mirë dhe i kishte rënë të fiktë.

Ajo tha se më pas nuk mbante mend gjë, por pasi kishte mësuar publikimin e videos, ajo u dha ekspertëve të policisë emrat e dy shokëve të saj, të cilët gjithashtu ishin në tavolinë atë natë. Ajo kërkoi arrestimin dhe dënimin e tyre, pasi kishin abuzuar me besimin e saj dhe me faktin se ishin shokë. Ndërsa për personin tjetër që shfaqej në video, vajza tha se nuk ndihej mirë. E mitura u shpreh se mbante mend vetëm momentin kur ishte zgjuar, pas asaj nate dhe mjekët e kishin kuruar më pas për dhembjet në bark. Ndërkaq, mësohet se nga hetimet ka rezultuar se gjatë asaj nate pati vetëm prekje me duar, pasi pak momente pas xhirimit të videos, në spital kishin mbërritur familjarët e vajzës, të lajmëruar nga shokët e saj. Në orët në vijim priten të tjera zhvillime nga kjo dosje hetimore. Pas dhënies së dëshmisë, vajza është lënë e lirë, duke iu dhënë mundësia që nëse i kujtohet ndonjë detaj tjetër nga ajo natë, ajo të informojë policinë, që kjo e fundit të arrijë në një kohë sa më të shkurtër të përfundojë hetimet.

Top Channel