Përmirësimi i infrastrukturës në stadiumet e kryeqytetit

05/01/2015 00:00

Pushimi mes dy fazave të Superligës është shfrytëzuar për përmirësimin e infrastrukturës së stadiumeve të kryeqytetit. Stadiumi “Selman Stërmasi” ishte i pashfrytëzueshëm dhe “Qemal Stafa” në pikën e mospërdorimit.

Klubi Tirana që ka si aset stadiumin e vogël të kryeqytetit, ka filluar tashmë investimin për ta rikthyer si shtëpinë e tyre “Selman Stërmasin”. Ky stadium nuk përmbushte asnjë kriter për zhvillimin e ndeshjeve dhe si rrjedhojë ka filluar një ndërhyrje rrënjësore duke filluar nga bazamenti i fushës dhe që do të vazhdojë tek pjesa e tribunës qëndrore dhe asaj karshi.

Stolat të mbetur gjysmak te karshia janë duke u zëvendësuar me të rinj, ndërkohë që pjesët pas porte do të mbyllen me reklama dhe nuk do të jenë funksionale. Në total, kapaciteti i këtij stadiumi do të jetë rreth 6000 vende dhe gjithçka pritet të jetë gati në fund të muajit janar.

I gjithë investimi për këtë stadium do të shkojë rreth 400.000 euro.

Ndërkohë, sot ka filluar puna edhe për zëvendësimin e fushës së “Qemal Stafës”. I shumëpërfoluri në pritje për t’u shembur për të vënë në jetë projektin e stadiumit të ri, për momentin do të qëndrojë kështu edhe për disa kohë, përderisa mungon gjetja e financimit të tij që është rreth 70 milionë euro. Gjendja shumë e rënduar e fushës e cila është zëvendësuar rreth 8 vite më parë, ka detyruar drejtorinë e stadiumit dhe FSHF-në që të bëjnë këtë ndërhyrje që do të jetë minimale.

Bëhet fjalë për një investim rreth 200.000 mijë euro që ka të bëjë me zëvendësimin e tapetit të barit dhe disa rregullime të impiantit të ndriçimit.

Në këtë mënyrë, në fillimin e fazës së tretë të Superligës së këtij viti, kryqyteti do të ketë mundësinë e zhvillimit të ndeshjeve në të dy stadiumet e tij, duke zgjidhur përkohësisht problemet e infrastrukturës.

Top Channel