PD: Në Pogradec po shkatërrohet prona e ligjshme

05/01/2015 00:00

Partia Demokratike e lidhi shembjen e 53 godinave në komunën Hudenisht
me interesa klienteliste qeveritare. Opozita përmendi emra konkretë të
atyre që sipas demokratëve përfitojnë nga shembja e shtëpive.

“Shtëpitë, hotelet, dhe pasuritë e qytetarëve, po prishen për t’i hapur rrugë investimit, fshatit turistik të kryetarit të Partisë Socialiste për Pogradecin dhe deputetit të Edi Ramës, Ilir Xhakolli. Ky rekord korruptiv, ku dëbohen qytetarët e vendit nga pronat e tyre të ligjshme, për të favorizuar biznesin e Kryeministrit dhe deputetit të tij, po ndodh sot ditën për diell në sytë e qytetarëve”, tha deputeti demokrat Gjergj Papa.

Per te bere kete denoncim, demokratet u bazuan ne nje dokument te Keshillit te Komunes Hudenisht, qe pas zgjedhjeve lokale te 2011-es, i ka dhene kryetarit te Partise Socialiste Pogradec, sot deputet, te drejten per te bere biznes ne nje prone te komunes.

“Kemi vendimin për dhënien në përdorim të tokës që i jep të drejten deputetit të Edi Ramës për të ndërtuar një ambient per aktivitet turistik me sipërfaqe 45 mijë metra katrorë. U prishet me dhunë prona e ligjshme qytetarëve, pa paraqitur asnjë shkresë zyrtare, për të pastruar terrenin për biznesin e qeveritarëve”, tha Papa.

Ajo qe nuk shpjegoi Partia Demokratike ishte sesi ndikojne prishjet e 53 ndertesave shume kilometra larg fshatit Lin, pse akti i Keshillit te komunes eshte korruptiv dhe cila eshte lidhja me kryeministrin Rama.

“Nuk kemi të bëjmë thjesht me arrogancën e zakonshme, me armiqësinë që Kryeministri tregon ndaj qytetarëve. Por kemi të bëjmë me biznesin e tij dhe të deputetit të tij. Ky korrupsion tronditës, nuk do të lejohet. Ne ftojmë qytetarët ta kundërshtojmë me çdo mjet. Partia Demokratike do të jetë në krah të tyre, dhe zotohet publikisht se do të mbrojë të drejtat e tyre deri në fund”, tha Papa.

Top Channel