Euro, në minimumin historik kundrejt dollarit

05/01/2015 00:00

Monedha e përbashkët europiane ka humbur terren përballë dollarit amerikan, duke prekur nivelin më të ulët të shkëmbimit që prej vitit 2006.

Rënien e lirë të euros analistët e lidhin me paqëndrueshmërinë e situatës në Greqi dhe komentet e BQE-së mbi politikat monetare. Rrëshqitja në nivelin më të ulët të 9 viteve të fundit e pa euron të zhvlerësohej me 1.2% kundrejt monedhës së gjelbër.

Pavarësisht disa parashikimeve se monedha europiane do ta ruante pozicionin e vet e madje do të arrinte barazi me dollarin, aktualisht ajo po njeh vetëm një drejtim: tatëpjetën.

Ndikim të madh në këtë lëvizje, sipas gjasave, patën komentet e Mario Draghit të premten, kur kreu i BQE-së shprehu gatishmërinë e institucionit që drejton për ndërmarrjen e hapave të mëtejshme nxitëse për ekonominë.

Deklaratat e Draghit në gazetën “Handelsblatt” për injektim parash në sistemin bankar i dhanë fund dyshimeve se Banka Qendrore Evropiane mund të mos e fillonte së shpejti luftën kundër inflacionit tepër të ulët me blerjen e diskutueshme të obligacioneve shtetërore.

Euro është nën presion edhe prej gjasave të rritjes së parë të normës së interesit në Shtetet e Bashkuara, të cilat po i japin krahë ecurisë së tregut pas krizës së dollarit.

Mbi monedhën europiane rëndon edhe ngërçi politik i Greqisë dhe frika se zgjedhjet e parakohshme të 25 janarit do të nxjerrin fituese Syrizën, partia radikale e majtë e deklaruar hapur kundër masave anti-krizë.

Spekullimet se Athina mund të mos i respektojë kushtet e dorëzanisë ndërkombëtare dhe të largohet nga eurozona ngjallën shqetësim të madh.

Sipas ekspertëve, në situatën e krijuar ka shumë mundësi që euroja të vazhdojë të mbetet e paqëndrueshme përgjatë javëve në vazhdim.

Top Channel