Biznesi: Taksat ndryshojnë shumë shpesh, krijojnë konfuzion

05/01/2015 00:00

Dhoma e Tregtisë ankohet se ndryshimet e shpeshta të taksave janë bërë të papërballueshme dhe kanë krijuar konfuzion te biznesi. Bujar Bendo, i cili përfaqëson Dhomën në Këshillin Tatimor, merr si shembull ligjin e procedurave tatimore.

“Si mund të aplikohet një ligj që ndryshohet 6 herë në vit, e për më tepër pjesë-pjesë e copa-copa. Ka qenë një pjesë që është kritikuar nga qeveria e sotme përkundrejt qeverisë së kaluar, fakti që përse janë bërë këto ndryshime kaq të herëpashershme dhe pjesore të ligjit. Nuk duhet të vazhdojmë më kështu”, thotë Bujar Bendo, Dhoma e Tregtisë.

Për Luan Bregasin, që drejton “Biznes Albania”, ndryshimet e taksave, edhe pse të shpeshta, kanë qenë përgjithësisht pozitive duke e lehtësuar biznesin, veçanërisht në thjeshtimin e disa procedurave apo kostove.

“Ato që lidhen me uljen e gjobave për sa i përket punonjësve të siguruar, ka qenë me 250 mijë lekë dhe është bërë me 50 mijë lekë. Janë ulur disa burokraci që lidhen me mënyrën e ankimimit, me garancitë e ankimimeve. Pra nga pikëpamja administrative kemi disa përmirësime, që shpresojmë të sjellin pozitivitet në marrëdhëniet e sipërmarrjes me organet tatimore e doganore”, u shpreh Luan Bregasi, president i “Biznes Albania”.

Por, ai i tërheq vëmendjen qeverisë, që t’i japë më shumë kohë sipërmarrjes, të njihet jo vetëm me ligjet por edhe aktet nënligjore, të cilat shpesh kalojnë me urgjencë, si udhëzimi për TVSH-në.

“Udhëzimi i ardhur nga Ministria e Financave ka disa tema të debatueshme, që nuk janë në koherencë me ligjin. Koha në dispozicion të shoqatave e kompanive private është shumë e vogël, ndaj do të kërkonim që ligji dhe udhëzimi të mund të hyjnë në fuqi, por të lihet një periudhë tremujore që të debatohen pikat më të nxehta, që ka udhëzimi i Ministrisë së Financave për sa i përket zbatimit të ligjit të TVSH-së”, deklaron Bregasi.

“Në bërjen e paketës fiskale të vitit 2013 u tha se shpejtuan, kërkonin ndjesë, e bënë dhe u mbyll kjo çështje. Në 2014-n është vepruar thuajse njësoj”, shprehet Bendo.

Ndryshimet e shpeshta në ligjet e taksave kanë qenë një problem i hershëm për biznesin, duke krijuar amulli te sipërmarrja, por edhe hapësira për abuzime nga administrata fiskale.

Top Channel