Kosovë, 1 rast me gripin e derrit. Mjekët: S’ka vend për panik

05/01/2015 00:00

Në klinikën infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës konfirmohet një rast me gripin e derrit. Sipas drejtorit të kësaj klinike, doktor Hamdi Ramadani, nga tetë raste të dyshuara vetëm një prej tyre rezultoi me virusin AH1N1.

“Aktualisht janë duke u trajtuar 8 raste. Pacientët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe sot ose nesër do të dërgohen në shtëpi, për shkak se nuk paraqesin ndonjë seriozitet edhe nga aspekti infeksional. Patologjia e këtyre të sëmurëve është kryesisht e një gjendjeje të gripit të zakonshëm ose sezonal. Vetëm një rast është verifikuar si grip AH1N1, ose gripi i derrit. Bëhet fjalë për një femër nga Ferizaj, e cila megjithatë është nxjerrë nga spitali pasi gjendja shëndetësore e lejonte një gjë të tillë dhe ka marrë terapinë e duhur”, deklaroi Ramadani.

Lidhur me rastin e vdekjes së një pacienti më 3 janar në këtë klinikë, Ramadani sqaroi se vdekja ka ardhur si pasojë e sëmundjeve të mëhershme kronike dhe jo nga gripi i derrit.

“Disa kampione të cilat janë dërguar në Institutin Kombëtar janë testuar e ritestuar nga specialistët dhe të gjitha testet kanë dalë negative. Kështu që rasti nuk ka qenë një fatalitet nga gripi i derrit, por nga probleme të mëhershme kardiake dhe respiratore”, sqaroi Ramadani.

Kreu i Qendrës Klinike Universitare shtoi më tej se nuk ka vend për panik, pasi klinika infektive ka përvojë dhe kapacitete të plota për trajtimin e këtij gripi, përfshirë këtu edhe mjekimi e duhur “tamiflu”. Në fund të muajit dhjetor, me gripin AH1N1 kanë rezultuar edhe dy pacientë, të cilët janë liruar pas trajtimit në klinikën infektive.

Top Channel