SHBA goditen nga i ftohti brutal, temperatura deri në -45 gradë

05/01/2015 00:00

Edhe Shtetet e Bashkuara priten të përballen me një të ftohtë të acartë gjatë kësaj jave, ndërsa bëhet e ditur se në disa pjesë të Minnesotas temperatura më e lartë pritet të shënojë -17 gradë celcius. Dhe jo vetëm, pasi edhe zona të tjera të SHBA-ve do të ngrijnë nga të ftohtit…

“Jemi duke u përgatitur të kujdesemi për rreth 50 milionë njerëz në 24 shtete të ndryshme, të cilët do të përballen me temperaturat më të ulta përgjatë disa ditëve në vijim, acar që ndoshta nuk është parë prej kohësh”, thotë meteorologu i CNN, Karen Maginnis.

Por, cilët shtete do të goditen më tepër? Nëse dëshironi të përjetoni temperatura deri në -45 gradë celcius, mjafton të vizitoni në pjesën veriore, në Wisconsin apo në Minnesota gjatë së hënës. Erërat e forta do të bëjnë që temperaturat të variojnë nga -32 në -45 gradë, duke prekur edhe disa pjesë të Dakotës Veriore.

“Ky i ftohtë arktik pritet të jetë tepër i frikshëm, mund të them vdekjeprurës dhe i rrezikshëm”, thotë Maginnis. “Më e keqja është se një ‘shpërthim’ i dytë i të ftohtit do të përforcojë këtë ngrirje të acartë gjatë së martës”.

As Chicago nuk do t’u shpëtojë këtyre temperaturave, ku përllogaritet që termometri të tregojë -30 gradë gjatë së hënës, thotë një tjetër meteorolog, Tom Sater. “Rreth 70% e Shteteve të Bashkuara do të përjetojnë temperatura jashtëzakonisht të ulta gjatë këtyre dy ditëve në vijim”, shprehet Pedram Javaheri.

Dëbora, reshjet e shiut dhe ngricat priten të zaptojnë gjithashtu edhe pjesë të Nju Jorkut dhe New England. “Një masë ajri arktike që ka prekur tashmë Amerikën veriore dhe qendrore, do të përhapet në vijim edhe në juglindje, duke zbritur temperaturat edhe në gjirin e Mississippit, por dhe në brigjet lindore”, njofton Shërbimi Kombëtar i Motit. Nju Jork Siti pritet të ngrijë mëngjesin e së enjtes, kur temperaturat do të shënojnë -22 gradë celcius e do të ketë edhe erëra të ftohta.

Reshje të dendura priten edhe në Uashington, ndërsa dëbora mund të tejkalojë 30 cm në disa pjesë të jugperëndimit, si në Kaliforninë jugore, apo në Kanionin e Madh.

E saporimëkëmbur nga një seri tornadosh përgjatë fundjavës, juglindja e vendit do të duhet të përballet me masat e ftohta të ajrit. Mississippi u godit nga 4 tornado të shtunën, ndërsa dy të tjera prekën Alabamën. Madje ngricat e kësaj mesjave do të prekin disi edhe Floridan.

Top Channel